E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vakanca pas përfundimit të mandatit të gjyqtares kushtetuese, Olta Zaçe, KED zhvillon intervistat me kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka zhvilluar të martën, mbledhjen e radhës, duke vijuar procesin e përzgjedhjes së kandidatëve për pozicionet vakante në Gjykata Kushtetuese. Në takim morën pjesë anëtarët e KED-së, anëtarët zëvendësues, si dhe përfaqësues të ftuar, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Gjatë kësaj mbledhjeje, KED zhvilloi intervistat dhe testin e gjuhës së huaj me kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e vlerësimit të kushteve ligjore. Kjo fazë përbën një hap kyç në garën për të plotësuar vendet e lira në organin më të lartë të interpretimit të Kushtetutës.

Sipas njoftimit për shtyp, kandidatët e pranishëm prezantuan platformat e tyre të kandidimit, duke shpalosur qasjen mbi rolin dhe përgjegjësitë e një gjyqtari kushtetues, si dhe duke theksuar prioritetet e tyre në ushtrimin e këtij funksioni thelbësor. Ata gjithashtu iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të KED-së, të cilat u fokusuan në përvojën e tyre profesionale dhe vizionin për të ardhmen e Gjykatës Kushtetuese.

Procesi do të vijojë të mërkurën, më datë 17 shtator 2025, me procesin e pikëzimit. Ky proces do të zbatohet në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligj dhe aktet nënligjore.

Kandidatët të cilët kanë kaluar në fazën vijuese të përzgjedhjes janë: Asim Vokshi, Alban Toro, Florjan Ballhysa, Naureda Llagami, Genta Tafa dhe Alma Faskaj.

Vakanca në fjalë u shpall nga Gjykata e Lartë pas përfundimit të mandatit të gjyqtares Olta Zaçe.

Kandidatë

Alban Toro

Alma Faskaj

Asim Vokshi

Florian Ballhysa

Genta Tafa Bungo

Naureda Llagami

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›