E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vaksinimi i bagëtive për brucelozën deri në fund të tetorit

Vaksinimi i bagëtive mbetet një nga masat më të rëndësishme për mbrojtjen e shëndetit të kafshëve dhe sigurinë ushqimore të konsumatorëve.

Përgjegjësi i Sektorit të Shërbimit Veterinar, Bajram Peposhi, tha se ky vaksinim bëhet kundra sëmundjes së brucelozës.

“Periudha e vaksinimit vazhdon te remonti i të imtave, te qengjat e kecat, që matrikullohen dhe vaksinohen kundër sëmundjes së brucelozës. Jemi në fazën përfundimtare. Fundi i vaksinimit është deri në muajin tetor. Në fillim të shtatorit do të fillojmë gjurmimin e TBC-së. Ata që e kanë bërë vitin e kaluar do ta ribëjnë,” thotë z. Peposhi.

Ky vaksinim mbetet i rëndësishëm për bagëtitë dhe kryhet çdo vit nga shërbimi veterinar në të gjithë qarkun.

“Gjurmimi i sëmundjes së tuberkulozit është me shumë rëndësi, për arsye se jo të gjitha kafshët që kanë ferma shkojnë në thertore. Nga therjet që bëhen në ferma, nëse nuk i kontrollon një mjek veterinar, ka mundësi infektimi,” tregon z. Peposhi.

Sipas të dhënave nga Sektori i Shërbimit Veterinar, në qarkun e Kukësit mbarështohen aktualisht rreth 41 mijë krerë të imta dhe 20 mijë krerë gjedhë, çka e bën vaksinimin një proces të domosdoshëm për të garantuar jo vetëm shëndetin e bagëtive, por edhe cilësinë e produkteve bujqësore dhe blegtorale që arrijnë në treg.

Gazetare: Irda Bajraktari

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›