E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vaksinimi kundër HPV, në bashkinë Kukës mbulesa vaksinale arrin 98 %

98% e vajzave 13–20 vjeç kanë aplikuar vaksinën kundër virusit HPV gjatë 5 viteve të fundit. Kështu tha Shefja e Epidemiologjisë pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës, Denisa Duraku.

“Prej më shumë se 5 vitesh në vendin tonë, aplikohet kjo vaksinë tek grup moshat 13-20 vjeç tek vajzat. Në ditët që flasim kemi një mbulesë shumë të mirë në rrethin e Kukësit duke përfshirë edhe njësitë administrative me rreth 98%v të vaksinimit”, u shpreh Duraku.

Nga janari i vitit 2026 në kalendarin kombëtar të vaksinimit kundër virusit HPV do të përfshihen edhe djemtë e moshës 13 vjeç.

“Duke qenë se ky virus transmetohet nga gjinia mashkullore, ata janë bartës dhe po njësoj janë të rrezikuar, është parë e domosdoshme që kjo vaksinë të aplikohet edhe tek gjinia mashkullore”, tha Shefja e Epidemiologjisë dhe Shëndetit Mjedisor.

Pavarësisht se në fillim kishte hezitime dhe dyshime për aplikimin e kësaj vaksine te vajzat, kjo sfidë duket më e lehtë për vaksinimin e djemve 13 vjeçar.

“Është për ne një sfidë më e ulët në krahasim me atë që kishim kur u fut rishtazi, dhe mjeku i familjes është i mësuar dhe kjo vaksinë tashmë është e atashuar në program”, tha ajo.

Stafi mjekësor i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Kukës zhvillon takime ndërgjegjësuese periodike në të gjitha shkollat 9 vjeçare të bashkisë Kukës për të informuar mbi rëndësinë e aplikimit të vaksinës HPV.

Gazetare: M. Dokle

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›