E Shtunë, 31 Tetor 2026

Valencia ndal Barcelonën në javën e 33-të (video)

Valencia - Skuadra e Valencias arriti të ndalë kryesuesit e Barcelonës në javën e 33-të të kampionatit spanjoll. Ndeshja e luajtur mbrëmë në “Mestalla” përfundoi në barazim 2-2, duke e rihapur edhe një herë luftën për titull në Primera Division.

Barcelona kaloi e para në avantazh me anë të Lionel Mesit në minutën e 24-t. Barazimi për vendasit do të vinte në minutën e 43-të me anë të Maduros. Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë Hernandez kalon në avantazh Valencian, duke i çuar shifrat në 2-1.

Në pjesën e dytë vendasit mbrohen mjaft mirë duke i krijuar shumë vështirësi skuadrës së Pep Guardiolës për të gjetur barazimin. Kur dukej se fitorja po i buzëqeshte Valencias, Tierri Henri arrin të barazojë gjithçka pas një rrëmuje të krijuar në zonën e vendasve.

Me këtë barazim Barcelona ngjitet në kuotën e 82 pikëve, duke pritur në ankth transfertën e sotme të Raelit me Seviljen. Nëse madrilenët do të fitojnë, atëherë diferenca do të shkurtohej në 4 pikë. Kujtojmë që javën e ardhshme Barcelona do të jetë “mysafire” në fushën e Realit.

Valencia pozicionohet në vendin e katërt me 56 pikë, tre më shumë se Vilareali, i cili do të luajë sot në transfertën e Getafes.

Më poshtë ju ftojmë të ndiqni në video golat e takimit të mbrëmshëm.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›