E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vals me Bashirin në Prizren

Gati Dokufest. Ngjarja më e madhe për kinemanë në Kosovë, nis më 3 gusht në Prizren. Në program edhe "Waltz with Bashir" i Ari Folman-it


Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër që mbahet çdo vit në qytetin e Prizrenit është gati të nisë më 3 gusht. E quajtura ngjarja më e madhe filmike në Kosovë, mbërrin e në edicionin e tetë me program të mirëmenduar, i ndarë në seksionet e dokumentarit të gjatë, dokumentarit të shkurtër, dokumentarit ballkanik, të filmit të shkurtër, filmit kombëtar, të filmit për fëmijë. Këto pjesë të programit kanë karakter konkurrues dhe nga secila prej tyre vlerësohet filmi më i mirë nga një juri kombëtare dhe ndërkombëtare.


Tre ditë më parë organizatorët e festivalit, dy drejtuesit kryesorë, Aliriza Arënliu, drejtor i festivalit dhe Veton Nurkollari drejtor artistik kanë bërë të ditur se DokuFest hapet më 3 gusht me projeksionin e filmit "Youssou N'Dour: I bring ëhat i love" me regji të Elisabethe Chai Vasarhelyi.


I kushtohet muzikantit të famshëm afrikan, Youssou N'Dour, autorit të albumit "Egjipt", vepër që do të ngjallte zemërim tek bashkëkombasit e tij sepse këngët e N'Dour-it flasin për Islam tolerant dhe "jo tipik" për mjedisin e artistit.


Është zgjedhur ky dokumentar për hapjen e Dokufest sepse prezanton në një tjetër fushë, si muzika, lejtmotivin e përplasjes së njerëzvë të guximshëm sidomos artistë që ngrihen kundër abuzimit në emër të një tradite dhe kulture të religjionit.


"Youssou N'Dour: I bring ëhat i love" është fitues i Çmimit Special të Jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Lindjes së Mesme si dhe fitues i Çmimit të Publikut në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sao Paulo.


Ja edhe një nga pretendimet e Dokufest-it: të sjellë filma cilësia e të cilëve është e garantuar, filma pjesëmarrës në festivale të rëndësishme në botë, qëllim e zgjedhësit dhe hartuesit e programit e arrijnë duke qenë në kontakt të vazhdueshëm gjatë gjithë vitit me informacionin e produksioneve filmike.


Ndërsa pritet shpallja e gjithë programit të festivalit, organizatorët bënë të ditur se për projeksion special është bërë e mundur prurja e një tjetër vepre të rëndësishme e përfolur në periudhën 2008-2009. "Waltz with Bashir" i regjisorit Ari Folman shfaqet më 9 gusht dhe mbyll Dokufest-in.


I cilësuar si "Apocalypse Now" izraelit, ky film dokumentar i animuar "paraqet luftën e vitit 1982 në Liban dhe masakrën famëkeqe Sabra dhe Shatila, të kryer nga falangistët e krishterë mbi kampet e refugjatëve palestinezë në Bejrut.


Regjisori Folman, i përndjekur nga një kujtim i vetëm nga ajo natë kritike, një ëndërr ankthi ku ai dhe shokët e tij dalin nga deti dhe ecin nëpër plazh në Bejrut, ballafaqohet me pyetjen e vështirë se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe cili ishte roli i tij aty.


Ai viziton miqtë e tij të vjetër një nga një dhe dalngadalë i kthehen kujtimet nga ajo ngjarje. Si rezultati kemi një film unik ndaj çështjeve që shpesh kanë tendencë të harrohen nga shoqëria Izraelite". Me këtë motiv e kanë argumentuar organizatorët zgjedhjen e "Vals me Bashirin".


Ky
Film do të nominiohej për çmimin Oscar më 2009 dhe të fitonte një Golden Globe si filmi më i mirë i huaj; pastaj çmimin Filmi më i mirë i Metrazhit të Gjatë nga Shoqata e Kritikëve të Filmit në Los Anxhelos; 6 çmime në Academy Awards të Izraelit; shpërblimin Filmi më i mirë në gjuhën e huaj nga Shoqata Kombëtare e Kritikëve të Filmit etj. ndërkaq ka bërë xhiron në disa festivale të rëndësishme si eko e aktualitetit të ngjarjeve të vendin e Ari Folmanit.


Dokufesti mbahet çdo gusht në qytetin më të veçantë të Kosovës, i shtrirë në katër kinema, dy verore dhe dy salla të mbyllura. Përveç filmave, festivali përfshin edhe aktivitete të tjera, ekspozita DokuPhoto, kampingu i festivalit, koncerte etj.
Organizatorët ndihen krenarë të deklarojnë se këtë vit numri i vullnetarëve të festivalit ka arritur në 110. Shenjë më shumë se e mirë.

-----------------------------------------------------------------------------------------------


Vlora kujton viktimat e diktaturës


Mbi 1600 qytetarë të Vlorës që kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës dhe persekutimit nën 45 vite të diktaturës komuniste, janë përkujtuar dje në një ekspozitë fotografike në një nga sallat e Universitetit "Ismail Qemali" të Vlorës.


Merrnin pjesë përveç dhjetëra familjarëve të personave të pushkatuar, burgosur e dënuar nga regjimi i Hoxhës, edhe drejtues të Partisë Demokratike të Vlorës, që ishin dhe mbështetësit kryesorë të kësaj ekspozite.


Të pranishmit kanë bërë një retrospektivë të ngjarjeve duke theksuar se "ata ishin kundër urrejtjes dhe hakmarrjes, deviza e tyre ishte dashuri, mirëkuptim dhe tolerancë mes shqiptarëve.


Ata kaluan ferrin komunist, u vetëmohuan, se Shqipëria nuk ka kuptim dhe kombi nuk ekziston pa Kosovë e Çamëri. Trastat dhe fëmijët në shpinat e grave, nënave dhe motrave ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e të burgosurve. I vranë, i burgosën dhe i fundosën, por ata dolën mbi sipërfaqe, se mbijetesa është virtyt i fisnikërisë."


Ekspozita u organizua nën drejtimin e Shaban Xhyherit dhe Fahri Shaskës, dhe do të qëndrojë e hapur gjatë gjithë verës, ku të gjithë do të kenë mundësinë të njohin portretet dhe emrat e atyre që vuajtën nga regjimi komunist.


Të pranishmit u përshëndetën nga historianë, ish të përndjekur dhe autorite drejtuese në Vlorë. Kreu i PD-së së Vlorës dhe njëkohësisht deputeti Ardian Kollozi, vlerësoi këtë nsimë, që sipas tij i vlen historisë së demokracisë në vend.
Ekspozita e viktimave të komunizmit në Vlorë është e para e këtij lloji që hapet në qytet dhe në një mjedis universitar.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›