E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja kriminale që ka miratuar KKRTRSH dy ditë më parë

Mbledhja e fundit e KRRTRSH po ndryshon tërësisht të ardhmen e zhvillimit urban të Tiranës, rrethinave dhe zonave turistike të Shqipërisë, duke humbur përfundimisht perspektivën e tyre turistike dhe duke u bërë mall për përfitime të shpejta të njerëzve të lidhur me kryeministrin Berisha dhe familjen e tij. Një sërë studimesh pjesore janë miratuar për periferinë e Tiranës duke shkatërruar rreth 75 hektarë zonë të gjelbër pranë Liqenit të Farkës, periferinë e Vorës, gjirin e Lalzit, ish-Kampin e Pionierëve në Durrës etj. Ja disa nga dosjet që kompromentojnë rëndë Sali Berishën dhe interesat e tij klienteliste.


Studim pjesor pranë liqenit të Farkës - 74.5 hektarë

Këtu mbushet me ndërtime e gjithë zona kodrinore deri në buzë të Liqenit të Farkës, liqen i cili duhej të ishte i rrethuar me pyll, sikurse dhe Liqeni Artificial i Tiranës, dhe të garantonte mushkërinë e gjelbër të kryeqytetit. Në vend të kësaj ndërtimet shkojnë deri afër liqenit, madje në disa zona pranë liqenit koeficienti i shfrytëzimit shkon deri në 40%!

Me këtë studim, i cili ishte anuluar nga ambientalistët në kohën e Nanos, betonizohen edhe kodrat në pjesën juglindore të kryeqytetit dhe Tirana humbet rreth 75 hektarë gjelbërim dhe me një të rënë të lapsit humbet hektarë të tëra sipërfaqe me ullinj.


Detyrë projektimi për studim rajonal që përfshin Bashkinë Vorë, komunën Prezë dhe Bërxull - sipërfaqja e propozuar për ndërtime, 2.740 hektarë


Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për tokë buke! Me këto detyra projektimi, që do realizohen në 20 vitet e ardhshme, e që janë të pastudiuara nga ekspertë të nivelit ndërkombëtar, kryeministri po asgjëson ardhmërinë e krijimit të një metropoli të shëndetshëm, jo vetëm nga ana sanitare, por edhe nga ajo sociale dhe ekonomike në terma afatgjatë, duke prekur rëndë zhvillimin harmonik të vendit. Asnjë studim demografik nuk është bërë dhe askush nuk mund të thotë se sa do të jetë numri i banorëve të hapësirës metropolitane në 20 vitet e ardhshme. Disbalanca që po krijohet me këto studime pa asnjë element të urbanistikës botërore bashkëkohore, kemi sinjale se ka filluar të alarmojë edhe strukturat e BE. Bëhet fjalë për ndërtime deri në 8 kate. Sipërfaqja e propozuar për ndërtime është sa 80% e sipërfaqes së Tiranës.


Masterplani, detyra e projektimit dhe plani i përgjithshëm i Bashkisë Vorë


Në të njëjtën mbledhje janë miratuar dhe 1. Studimi rajonal, 2. Masterplani, 3. Detyra e projektimit dhe 4. Plani i Përgjithshëm. Vetëm qytetit të Vorës i shtohen 900 hektarë, pra sa një e katërta e Tiranës - dhe kjo pa asnjë rresht të vetëm mbi numrin e popullsisë aktuale dhe atë në perspektivë!

Studim urbanistik përgjatë rrugës së Rinasit, 234 hektarë në komunën Prezë


Ekspertët thonë se është një skandal i vërtetë që nis që nga emërtimi Studim Përgjatë Rrugës. Të gjitha oponencat për këtë studim janë bërë të bashkuara me ato për një pikë karburanti pranë aeroportit "Nënë Tereza", që do të thotë se studimi me 234 hektarë është shtyrë prej tij, pra shoqërisë "Aventura" sh. p. k., që vetë ka vetëm 1.5 hektarë.

Detyrë projektimi dhe studim urbanistik në Velipojë (shtesë e studimit në fuqi për Zhvillimin Turistik dhe Mbrojtjen e Bregut të detit - Velipojë)

Ekspertët thonë se ky studim është skandal i vërtetë, sepse merr përsipër edhe ndërtim në zonën e rezervatit të Velipojës, të cilin deri më tani nuk kish guxuar ta prekte askush. Por ajo çka e bën më të rëndë këtë dosje është se në të njëjtën pikë të KRRTRSH është dhe miratimi i një studimi pjesor për 44.000 m2, që është projektuar nga "Smart Studio", e cila nuk mund dhe nuk duhet të bëjë edhe 1. Detyrën e Projektimit, 2. Studimin e Sipërfaqes Shtesë të Planit Urbanistik të Velipojës dhe 3. Projektin për Strukturën Turistike. Investitor është Agron Çela që ka "Hotel Europa" në Shkodër. Ndërtimet në vijën e parë shkojnë deri në 6 kate. Rezervati i mrekullueshëm i Velipojës në deltën e Bunës del jashtë loje. Burimet thonë se ekziston mundësia që të jetë përdorur si mbulesë një pronë e Çelës, që nuk ndodhet shumë pranë detit për të rrëmbyer dhe brezin e rezervatit që ndodhet buzë detit. Burimet thonë se vetëm interesa shumë të ngushta të kryeministrit ose dikujt shumë pranë tij mund të sjellin një masakër të tillë.

Studim urbanistik në Gjirin e Drinit pranë Lezhës

Ekspertët e mjedisit thonë se ky është një akt kriminal që dëmton në mënyrë të parikuperueshme rajonin lagunor e kënetor të zonës së Kunës, 130 hektarë, ku do ketë ndërtime deri në gjashtë kate, zonën e Kodrës në Shëngjin, 100 hektarë, ku do ketë ndërtime deri në katër kate, zonën e Ishull-Lezhës, 208 hektarë, zonën e Tales 380 hektarë, me ndërtime 3 kate brenda në pyll dhe lagunë. Në këtë rast bëhet fjalë për një ndër zonat më ekologjike në Evropë.


Studim pjesor në Kashar në një sipërfaqe rreth 100 hektarë

Lagjet e ndërtuara deri më tani në Kashar, ku mungon totalisht infrastruktura dhe ndërtimet janë shumë të ngjeshura, do të duken një parajsë në krahasim me planin që ka miratuar kryeministri, Sali Berisha, që parashikon dendësimin e mëtejshëm të ndërtimeve. Bëhet fjalë për ndërtime deri në nëntë kate, të cilat nuk respektojnë gjendjen reale të fotografimit ajror dhe nuk marrin parasysh zhvillimin e zonës.

Studim urbanistik në ish-Kampin e Pionierëve, Durrës. Sipërfaqja 85.000 m2

Një nga të paktat zona të mbetura të lira në Plazhin e Durrësit, ish-Kampi i Pionierëve, i ruajtur deri para pak kohësh nga forcat shumëkombëshe, tani pas privatizimit vjen me një studim që parashikon pallate deri në 8 kate në plazh. Bëhet fjalë për 85 hektarë ndërtime.

Studim urbanistik i zonës turistike të Gjirit të Lalzit


Në këtë rast bëhet fjalë për fillimin e lejeve masive për ndërtime në gjirin e Lalzit. Bëhet fjalë për ndërtesa deri në pesë kate me një dendësi të lartë.

Studim urbanistik pjesor në fshatin Selitë - komuna Farkë, 35 hektarë


Kodër me ndërtesa 5-7 kate; e gjitha në tokë bujqësore. Mësohet se Ministria e Bujqësisë e ka kundërshtuar në oponencën e saj këtë studim.

Fabrikë çimentoje në Lezhë (Balldren) - "General Cement Albania"

(Në KRRTRSH me urdhër të kryeministrit)


Fabrika, me shesh ndërtimi 130.000 m2, ndërtohet vetëm 1 km nga qyteza e Balldrenit dhe vetëm 3.5 km nga Plazhi i Shëngjinit. Erërat e veriut do e shpien tymin dhe pluhurin e çimentos në Lezhë, e cila ndodhet 5 kilometra më në jug. Kapaciteti, 1 milion e 150 mijë tonë në vit.


Fabrikë çimentojë në Mamurras - "Cementos Aguila"

(Në KRRTRSH me urdhër të kryeministrit)

Fabrikë me shesh ndërtimi 211.000 m2, Ndërtohet krejtësisht në zonë pyjore.


Fabrikë çimentoje në Bushat - "Seasif Group"

(Në KRRTRSH me urdhër të kryeministrit)

Fabrika me shesh ndërtimi 167.000 m2, ndërtohet vetëm 400 metra nga qendra e banuar, Mali Jushit, dhe 5.5 kilometra në vijë ajrore nga Plazhi i Velipojës. Këshilli i Ministrave në maj ka hequr tokën këtu nga fondi pyjor për t'i hapur rrugë investimit.


Fabrikë çimentoje në Fushë-Krujë dhe Nikël - "Gener 2"

(Në KRRTRSH me urdhër të kryeministrit)

Bëhet fjalë për një investimit të biznesmenit të familjes Berisha, Bashkim Ulaj. Fabrika, me shesh ndërtimi 432.000 m2, gjendet vetëm 1.5 km nga qendra arkeologjike e Albanopolisit (Zgërdhesh). Karriera e argjilës (dizastër mjedisor) është në një ndër vendet më piktoreske, pikërisht ndërmjet dhe në kontakt me dy rezervuarët: të Bajcungës dhe të Verjonit në Fushë-Krujë. Zona Fushë-Krujë-Krujë në këtë mënyrë shndërrohet në rrethin e 9 të ferrit të Dantes.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›