VanHorn: Vetting-u vendosi standard, shembull për vende të tjera që po fillojnë këtë rrugë

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn deklaroi sot se ka pasur rezistencë ndaj reformës në drejtësi dhe se kjo rezistencë vazhdon në disa vende edhe sot.
Në konferencën “7 vite rivlerësim kalimtar i gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, që shënon përfundimin e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe institucionit të Komisionerëve Publikë, Van Horn tha se, “që nga viti 2018 komisionerët kanë punuar me zell për të rishikuar integritetin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të Shqipërisë duke vepruar kështu, ata kanë vendosur një standard që mbahet si shembull, jo vetëm në Evropë, por edhe në vende të tjera që po fillojnë këtë rrugë, këtë proces shumë të vështirë, por premtues si rrugë drejt një shoqërie më të drejtë për të gjithë qytetarët”.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, u shpreh se “ka pasur rezistencë të madhe ndaj reformës në drejtësi dhe kjo rezistencë vazhdon në disa vende ende sot e kësaj dite.”
“Komisionerët e KPK-së, Komisionerët Publikë dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit kanë bërë sakrifica të mëdha profesionale dhe vetjake, duke marrë vendime të vështira. Ata kanë treguar guxim të jashtëzakonshëm në përballjen me pasojat e këtyre vendimeve të papëlqyeshme, por të nevojshme shkarkimi – dhe unë thjesht dua të shpreh vlerësimin tonë jo vetëm për sakrificat tuaja, por për sakrificat e familjes suaj, sepse ne e kuptojmë se ka pasur presion edhe ndaj tyre, kështu që ju lutemi ndajeni këtë me ta”, vijoi VanHorn.
Sipas saj, “Populli i Shqipërisë duhet ta dijë se zyrtarët e qeverisë po mbahen përgjegjës çdo ditë dhe se llogaridhënia do të vazhdojë falë punës së shqiptarëve të guximshëm si ju. Ndaj ne festojmë sot këtë arritje historike të organeve të vettingut. Dhe të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë për arritjet tuaja. Por vettingu nuk ka mbaruar”.
“Kërkesa e popullit shqiptar për llogaridhënie dhe transparencë, për drejtësi dhe barazi është po aq e fortë sot sa ishte në vitin 2016, dhe kjo është pjesërisht për shkak të punës suaj, sepse ju keni justifikuar pritshmëritë e tyre dhe keni ndihmuar në rritjen e pritshmërive. Institucionet e tjera që krijoi reforma në drejtësi po punojnë fort. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore po vendos standarde të reja për profesionalizmin në fushën e zbatimit të ligjit, për Policinë e Shtetit dhe për vetë inspektorët e saj”, tha VanHorn.
E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë u shpreh se, “prokurorët dhe hetuesit në SPAK po luftojnë për të sjellë në gjykatë bosët e krimit dhe figura të korruptuara politike.”
Po ashtu ajo tha se “Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë po marrin përsipër përgjegjësinë për të vendosur standarde integriteti për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe për të vazhduar vlerësimet, të cilat ruajnë besimin e publikut. Dhe këto nuk janë përgjegjësi të thjeshta apo të lehta.”
“Ndaj ju nxis të gjithëve ju sot, të gjithë ju që jeni pjesë e peizazhit të drejtësisë, të ndiheni jashtëzakonisht krenarë për këto arritje. Megjithatë, ka gjëra të tjera që duhet të ndodhin. Kolegji i Posaçëm i Apelimit duhet të përfundojë rishikimin me rëndësi të vendimeve të KPK-së, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre të vazhdueshme për të ruajtur integritetin që ju keni punuar kaq shumë për të vendosur”, theksoi VanHorn.
“SPAK duhet të vazhdojë të hetojë rastet më të ndjeshme të korrupsionit, duke kërkuar llogari nga ata që kanë abuzuar me postin e tyre pavarësisht politikës apo favoreve. Ka më shumë për të bërë. Ju keni ndërtuar institucione të reja drejtësie në emër të popullit shqiptar dhe është po aq e rëndësishme t’i përdorni ato në fuqinë e tyre të plotë në emër të bashkëqytetarëve tuaj. Duhet të jeni efektiv, të pavarur dhe të paanshëm.
Shtetet e Bashkuara ju nxisin të vazhdoni punën e mirë, pavarësisht nga pengesat me të cilat përballeni. Krahas partnerëve tanë të BE-së, ne kemi qenë me ju në çdo hap që nga viti 2016 dhe kemi filluar të shohim ndikimin e një gjyqësori më të pastër dhe të prokurorëve dhe hetuesve të përkushtuar kundër korrupsionit. Ecuria e vazhdueshme kundër korrupsionit do të sigurojë integritetin e sistemit gjyqësor dhe kjo varet nga vigjilenca dhe përkushtimi juaj”, përfundoi VanHorn.
Konferenca përmbyllëse e punës së KPK, Foto: Florian Abazaj 1 nga 14/j.p/a.f/