E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Zgjedhjet e 11 majit, rregullat e raportimit të veprimtarive nga institucionet publike

TIRANË, 16 dhjetor /ATSH/ Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar projektvendimin për rregullat e raportimit të veprimtarive publike në periudhën zgjedhore nga ana e institucioneve publike.

Sipas KQZ-së “ky akt ka për qëllim të vendosë rregulla për raportimin nga institucionet publike të veprimtarive të tyre gjatë periudhës 4 muaj përpara datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve”.

Subjekte të këtij vendimi janë institucionet publike dhe administrata shtetërore.

“Në nenin 92 të Kodit Zgjedhor parashikohet detyrimi i institucioneve publike, qendrore dhe vendore, si dhe agjencive dhe/ose ndërmarrjeve shtetërore, për të raportuar në KQZ të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë në periudhën katër muaj para datës së zgjedhjeve deri ditën e zgjedhjeve,” njofton KQZ.

Në kreun dy të projektvendimit parashikohet regjistrimi i subjekteve në ndërfaqen elektronike të raportimit të institucioneve

“Ndërfaqja Elektronike e Raportimit të Institucioneve (NRI) përfaqëson faqen zyrtare të internetit të zotëruar dhe në shërbim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe të institucioneve të tjera për ushtrimin e detyrave e të përgjegjësive ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe në këtë vendim. Ndërfaqja krijohet, administrohet dhe përditësohet nën autoritetin dhe përgjegjësinë e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve”, njofton KQZ.
Sipas KQZ-së “çdo institucion publik krijon një llogari të vetën në NRI”.

“Llogaria në NRI krijohet personalisht nga personi përgjegjës për raportimin. Për krijimin e llogarisë personi përgjegjës ngarkon në NRI, numrin e tij personal të identifikimit, datëlindjen, pozicionin që ka në strukturën administrative të institucionit publik, numër telefoni mobile, adresë e-mail, dokumentin e identifikimit të skanuar, si dhe versionin e skanuar të autorizimit të lëshuar nga drejtuesi i institucionit publik, si person përgjegjës për raportimin. Në momentin e krijimit të llogarisë në NRI personit përgjegjës i shkon në numrin e tij mobile një kod numerik për të autentifikuar kërkesën për hapjen e llogarisë përkatëse. Institucioni publik është përgjegjës për të dhënat që ngarkon në NRI dhe në tërësi për mbajtjen dhe administrimin e llogarisë”, thuhet në projektvendimin e KQZ-së.

Në kreun e tretë përshkruhen procedurat e raportimit në NRI (Ndërfaqja Elektronike e Raportimit të Institucioneve).

“Raportimi në NRI për një veprimtari publike të caktuar duhet të bëhet jo më vonë se 5 ditë përpara datës së planifikuar për zhvillimin e veprimtarisë. Raportimi bëhet për veprimtari të cilat organizohen, ose bashkëorganizohen nga institucioni publik raportues. Nuk raportohen veprimtari ku institucioni publik, apo përfaqësues të tij janë ftuar për të marrë pjesë. NRI mund të lejojë raportimin e një veprimtarie e cila nuk plotëson kushtin e pikës 1 të këtij Kreu, por automatikisht kjo veprimtari përcaktohet si e ndaluar për sa kohë KSHZ nuk ka marrë një vendim për ta lejuar atë”, thuhet në projektvendimin e KQZ.

Më tej në projektvendim theksohet se “raportimi duhet të përmbajë datën dhe orën e zhvillimit të veprimtarisë, qarkun, bashkinë adresën ku ajo zhvillohet, llojin e saj, tematikën e veprimtarisë, emër mbiemër të personave pjesëmarrës të cilët përfaqësojnë nivelin më të lartë hierarkik shtetëror në aktivitetin përkatës, institucionin të cilit i përkasin, emër mbiemër të folësve të mundshëm dhe pozicionin e tyre, me pjesëmarrje të medias ose jo, pasqyruar në rrjete sociale, median online, ose jo”.

Sipas KQZ-së, të dhënat e raportimit nuk mund të modifikohen në periudhën 5 ditë përpara datës së zhvillimit të aktivitetit deri në datën e zhvillimit të tij.

Në kreun katër është përcaktuar shqyrtimi i raportimeve.

“KQZ shqyrton raportimet e institucioneve si rregull jo më vonë se 3 ditë nga raportimi i tyre në NRI. Në rast se KQZ, kryesisht ose me kërkesë të të tretëve, konstaton se veprimtaria ose aktiviteti publik përbën veprimtari të ndaluar, urdhëron ndalimin e zhvillimit të veprimtarisë ose aktivitetit publik përkatës. Ndalimi kryhet nëpërmjet vendosjes së shënimit “Ndaluar nga KQZ-ja” në NRI, në pjesën që i takon veprimtarisë. Njoftimi për ndalim i shkon automatikisht institucionit në llogarinë e tij në NRI”, thuhet në projektvendimin e KQZ-së.

Më tej në projektvendimin e KQZ-së theksohet se “personat e tretë që paraqesin kërkesën në KQZ për të kërkuar ndalimin e një veprimtarie apo aktiviteti publik, duhet ta paraqesin atë jo më vonë se tre ditë nga data e planifikuar e mbajtjes së tij. Kërkesa paraqitet në protokollin e KQZ ose nëpërmjet adresës zyrtare të e-mailit dhe duhet të jetë e arsyetuar. KQZ shqyrton kërkesën dhe vendos në lidhje me të brenda 24 orësh nga paraqitja e saj”.

“Për veprimtarinë ose aktivitetin publik “Ndaluar nga KQZ-ja”, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton menjëherë zyrtarisht edhe Autoritetin e Mediave Audiovizive. Veprimtaritë e ndaluara nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk lejohen të transmetohen apo të pasqyrohen në rubrikat e lajmeve apo ato që mbulojnë̈ fushatën në radio dhe televizione. Transmetimi ose pasqyrimi i tyre në kundërshtim me ndalimin e vendosur nga Komisioneri ngarkon me përgjegjësi sipas këtij ligji transmetuesin radioteleviziv. Mosraportimi i një veprimtarie publike, ose raportimi i saj në kundërshtim me rregullat e përcaktuara në këtë vendim, apo akte të tjera, apo pengimi për raportim, ngarkon me përgjegjësi personi përkatës në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor. Shqyrtimi administrativ në këtë rast bëhet në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative dhe aktet e KQZ”, thuhet në projektvendim.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›