Vanackere: Plotësoni kriteret dhe kryeni reformat

VIZAT
Gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës belge, u kërkua që Shqipëria të plotësojë kushtet për heqjen e vizave dhe integrimin. BE - Shqipërisë: Na ndihmoni, t'ju ndihmojmë
BRUKSEL - Belgjika, e cila merr zyrtarisht më një korrik presidencën e radhës së Bashkimit Europian për gjashtëmujorin e dytë të këtij viti, i ka bërë të qartë Shqipërisë se heqja e vizave dhe integrimi në BE, do të kryhet mbi bazën e plotësimit të kritereve përkatëse dhe zgjidhjes së problemeve të brendshme.
Përfaqësuesit e qeverisë belge, kryeministri në ikje Iv Leterme dhe ministri i Jashtëm aktual i Belgjikës, Steven Vanackere, gjatë prezantimit të prioriteteve për kryesimin e presidencës së radhës së organizmit politik-ekonomik europian, theksuan se Shqipëria duhet të përmbushë kushtet e kërkuara, në mënyrë që edhe BE-ja ta ndihmojë atë drejt heqjes së regjimit të vizave dhe integrimit në familjen europiane.
Vizat
Pavarësisht miratimit të rezolutës pak ditë më parë nga Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian për heqjen e regjimit të vizave me Shqipërinë, kreu i diplomacisë belge, Steven Vanackere, specifikoi dje se liberalizimi i vizave do të varet nga plotësimi i kritereve të mbetura dhe kjo, sipas tij, mbetet një çështje kyçe e presidencës së Bashkimit Europian, që për gjashtë-mujorin e dytë të këtij viti do të udhëhiqet nga Belgjika.
"Për sa i takon liberalizimit të vizave, ky është proces që bazohet mbi meritat, sipas logjikës që kontaktet mes njerëzve mund të rriten ndoshta, e kjo mund të realizohet vërtetë. E dimë që shumë shtete kërkojnë liberalizimin e vizave, për ta është shumë simbolike, por dhe një mënyrë praktike për të realizuar lëvizjen e lirë të njerëzve.
Ne jemi tërësisht në dijeni të kësaj rëndësie, por ne gjithashtu insistojmë, e këtu nuk ka asgjë armiqësore, sepse kjo shkon me logjikën e kushtëzimit, që këto duhen plotësuar në mënyrë që të merret liberalizim vizash.
Dhe këtu kur më pyesni se kur do të vendosni ju? Kjo varet shumë nga progresi që do të dëshmohet në terren për kënaqjen e kritereve të kërkuara. Por një gjë është e sigurt që kur shohim vendet që kërkojnë të bëjnë progres në këtë fushë, si Presidencë ne e dimë shumë mirë që kjo pjesë mbetet çështje kyçe", - theksoi dje Steven Vanackere.
Ekspertët
Në muajin korrik, gjatë të cilit Belgjika zyrtarizon edhe presidencën e saj, Komisioni Europian do të dërgojë në Shqipëri ekspertët e tij për të monitoruar nga afër plotësimin e tri kritereve, si riatdhesimi i shqiptarëve të kthyer, lufta ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe konfiskimi i aseteve të krimit të organizuar.
Për këtë arsye, ministri i Jashtëm belg theksoi se presidenca belge gjatë ushtrimit të funksionit të saj do të vëzhgojë edhe plotësimin e tri kritereve të mbetura. "Ne do ta shohim procesin në mënyrë pozitive, por në të njëjtën kohë apelohet për kushtet, në mënyrë që mesazhi ndaj vendeve që pyesin kur do ta marrim ne heqjen e vizave? Na ndihmoni që t'ju ndihmojmë, pra rregulloni ato çështje të domosdoshme, në mënyrë që të bëni progres në këtë fushë.
A e dini çfarë, nëse hedhim një vështrim tek të gjitha vendet që kërkojnë liberalizim vizash ndaj BE-së, kam bërë një kalkulim dhe bëhet fjalë për rreth 200 milionë njerëz. Dhe natyrisht që duhet pasur një vështrim racional.
Mbyllja e derës nuk është opsion, sepse BE kërkon që të jetë hapësirë hapur për ata që duan të vinë e të bëjnë biznes, por kjo duhet bërë në mënyrë të rregullt", - u shpreh ministri i Jashtëm. Gjatë sezonit të vjeshtës mendohet që Këshilli dhe Parlamenti Europian të shqyrtojnë heqjen e vizave me Shqipërinë, duke u bazuar mbi përmbushjen e tri kushteve të përmendura më lart.
Presidenca belge: Koha kur do të hapen e do të mbyllen kapitujt për negociata do të vlerësohet në bazë të progresit
Integrimi në BE, Ballkani të zgjidhë problemet e tij
Për sa i përket integrimit të rajonit, (përfshirë këtu edhe Shqipërinë) në Bashkimin Europian, shefi i diplomacisë belge, Steven Vanackere, theksoi se këto vende duhet së pari të zgjidhin problemet e tyre të brendshme dhe të plotësojnë kushtet e kërkuara nga BE-ja.
Sipas tij, ndryshimet këtyre e vendeve duhet të vijnë nga brenda, për t'u bërë më pas pjesë e familjes europiane. "Ne duhet të bëjmë të qartë se ato vende që duan të bashkohen me Bashkimin Europian, mund të jetë pjesë e BE-së, por ka kushte që duhen plotësuar dhe ndryshimet duhet të vijnë nga brenda", - nënvizoi Vanackere.
Ai vuri në dukje se Belgjika do të shqyrtojë çështjen e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, mbi bazën e progresit konkret që do të bëjnë ato. Por, çështja e kohës se kur hapen negociatat për anëtarësimin e tyre, sipas tij, kjo do të vlerësohet sërish mbi bazën e reformave dhe zhvillimit që do të arrijnë vendet e rajonit.
"Për Belgjikën është e rëndësishme që këto dosje të integrimit, të shqyrtohen mbi bazë të progresit real, që bëjnë vendet në rrugën e negociatave. Nuk është një çështje për të pasur qëndrim politik.
Të gjitha këto vende në të ardhmen e kanë vendin e tyre në Bashkimin Europian. Por, çështja e kohës se kur do të hapen e do të mbyllen kapitujt për negociata, kjo gjë do të vlerësohet në bazë të qëndrimit mbi progresin real", - përfundoi ministri Vanackere. Drejtuesit e qeverisë belge, Leterme dhe Vanackere, shtuan se gjatë kohës së presidencës që do të udhëhiqet nga Belgjika, marrëdhëniet mes Brukselit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jenë "më të forta".
Belgjika e merr presidencën e Bashkimit Europian gjatë një periudhë shumë të trazuar në vend. Qeveria belge ra muajin prill për shkak të mosmarrëveshjeve mes flamandëve belgë dhe komuniteteve frëngjisht folëse. Partia separatiste flamande fitoi shumicën e vendeve në Parlament në zgjedhjet kombëtare të mbajtur dy javë më parë, por në bazë të përvojës mund të duhen javë apo muaj derisa qeveria e re të marrë detyrën.