SHKB- ja arreston për mitmarrje, një polic në Kakavijë

Punonjësi i Policisë akuzohet se gjatë intervistimit të një emigranti të kthyer nga Greqia i mori atij 500 euro.
I arrestuari mohoi të ketë marrë para, ndërsa bashkë me të akuzohet për veprime arbitrare edhe një koleg i tij .
TIRANE- SHKB-ja arreston policin e Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës, ndërsa dërgon për ndjekje penale një oficer, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe veprime arbitrare, pas denoncimit të një adoleshenti 17- vjeçar i kthyer nga Greqia.
Denoncuesi ka pretenduar se ditën e riatdhesimi të tij nga autoritetet greke, gjatë intervistimit të tij, një prej punonjësve të pikës së kalimit kufitar i ka marrë 500 euro. Inspektor Kreshnik Birbili, 27 vjeç, u arrestua të premten pasdite nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm i Ministrisë së Brendshme, pas denoncimit të Xh. D, 17 vjeç nga Berati. Ndërkaq, veç arrestimit të tij, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, dërgoi për ndjekje penale në gjendje të lirë edhe kontrollorin me gradë nënkomisar Mariglen Hadaj, 28 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme, Kreshnik Birbili, akuzohet për veprime arbitrare dhe shpërdorim detyre pasi dyshohet se me 19 qershor të këtij viti i ka marrë 500 euro kur Xh. D, 17 vjeç, po kthehej nga Greqia. Këtë ditë, gjatë kohës që në turn ka qenë Birbili, adoleshenti pretendon se punonjësi i policisë i ka marrë me dhunë një shumë prej 500 eurosh. Sipas pretendimit të denoncuesit, punonjësi i policisë kishte ushtruar presion ndaj tij dhe i kishte kërkuar një shumë parash prej 500 eurosh që kishte me vete, në këmbim për ta lënë të lirë.
Sipas burimeve të policisë, kalimi i adoleshentit në kufi, është kryer me 19 qershor, por denoncimi është kryer në Komisariatin e Policisë së Beratit, ku edhe banonte 17- vjeçari. Ky i fundit, sipas burimeve të policisë, i kishte një sasi prej 500 eurosh, borxh një shokut të tij dhe duhej t'ia jepte babait të shokut në Berat. Kur babai i shokut të tij i ka kërkuar paratë, ai i ka pohuar se paratë ia kishte marrë një polic i Kakavijës. Menjëherë pas këtij deklarimi, babai i shokut të emigratit denoncoi këtë të fundit në policinë e Beratit, ndërsa më pas ata i referuan çështjen SHKB-së, kur mësuan se 17- vjeçari pretendonte se paratë ia kishte marrë polici i Kakavijës, Birbili.
Të premten, specialistët e hetimit të SHKB-së nisën veprimet e tyre dhe fillimisht morën një leje për përgjim ambiental në prokurorinë e Gjirokastrës dhe dërguan të miturin në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë. Kur ai ka shkuar për të komunikuar me policin Birbili, ai ka zbuluar teknikën e montuar në trupin e adoleshentit dhe ai është dyshuar se mund të ishte gazetar i ndonjë emisioni investigativ.
Gjatë shoqërimit të tij për në zyrat e tyre, oficerët e SHKB-së kanë dëgjuar thirrje të adoleshentit, i cili ka pretenduar se gjatë kësaj kohe është dhunuar nga polici Kreshnik Birbili dhe oficeri i kësaj pike, Mariglen Hadaj. Në këtë kohë kanë ndërhyrë oficerët e SHKB-së që kanë ndaluar punonjësin e dyshuar, duke i komunikuar atij akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe veprimeve arbitrare dhe korrupsionit aktiv të personave që kryejnë funksione publike.
Në të kundërt, pavarësisht dyshimeve të SHKB-së për mitmarrje, kjo ka mbetur vetëm në kuadër të deklarimit të denoncuesit. Gjatë marrjes në pyetje të të akuzuarit ai ka mohuar kategorikisht mitmarrjen, ndaj denoncuesit. Ndërkaq, oficeri Hadaj akuzohet për veprime arbitrare gjatë shoqërimit të Xh.D, në ambientet e pikës së Kalimit kufitar të Kakavijës.