E Diel, 1 Nëntor 2026

Vandalizohet statuja e Zojës së Medjugorjes, i vihet flaka edhe altarit të jashtëm

SARAJEVË, 29 korrik /ATSH/ Autoritetet në Bosnjë dhe Hercegovinë kanë nisur hetimet për një akt vandalizmi në shenjtëroren e Medjugorjes, një nga qendrat më të njohura të pelegrinazhit katolik në botë.

Sipas autoriteteve dhe mediave ndërkombëtare, statuja e Zojës së Medjugorjes është lyer me bojë të zezë, ndërsa altarit të jashtëm pranë kishës së Shën Jakobit i është vënë zjarri me lëndë djegëse. Flakët janë shuar shpejt dhe nuk janë përhapur në kishë, por kanë shkaktuar dëme materiale në altar.

Pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë një person duke hedhur lëndë djegëse përpara se t’i vinte flakën altarit. Në vendngjarje u gjetën gjithashtu mbishkrime fyese dhe një banderolë në gjuhën polake, ku vegimtarët e Medjugorjes cilësoheshin si “mashtrues”.

Sipas mediave italiane, policia ka arrestuar një shtetas polak 31-vjeçar, i dyshuar si autor i sulmit, ndërsa hetimet për motivet e ngjarjes vijojnë.

Shenjtërorja e Medjugorjes, e cila tërheq çdo vit qindra mijëra pelegrinë nga e gjithë bota, mbetet e hapur për besimtarët dhe aktivitetet fetare po zhvillohen normalisht.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›