Katër vjet nga shpallja park natyror i mbrojtur, Porto Palermo pasuri e çmuar e biodiversitetit shqiptar

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Parku Natyror Porto Palermo është një nga zonat më të rëndësishme të mbrojtura bregdetare në Shqipëri.
I shpallur me vendim të Këshillit të Ministrave më 29 korrik 2022 si kategoria IV e zonave të mbrojtura. “Parku Natyror i Porto Palermos gjendet tërësisht brenda territorit administrativ të bashkisë Himarë dhe shtrihet në juglindje të qytetit.
Ministria e Mjedisit në një postim në rrjetet sociale thekson se “me një sipërfaqe prej 1,751.9 hektarësh, parku mbron ekosisteme të pasura detare e tokësore, habitate me vlera të veçanta dhe një biodiversitet të rëndësishëm, duke kontribuar në ruajtjen e trashëgimisë sonë natyrore për brezat e ardhshëm”.
Brenda sipërfaqes së zonës së mbrojtur gjenden: Kodra e Ullirit të Hollë, plazhi i Llamanit, Qafa e Lerës, Gadishulli i madh i Kavadonit, Rrënojat e ndërtesave ushtarake, fortifikime dhe tuneli; Stanet, Moli, Ndërtesa të peshkatarëve, Kisha e Shën Nikollës, Kalaja e Aliut, Maja e Palermos, në të cilën janë vendosur antenat e komunikimit, një bimësi mesdhetare dhe të kullotave.
Mjediset bregdetare-detare e nënujor karakterizohen nga shkëmbinjtë dhe gjiret. Takohen Gjiri i Llamanit, Gjiri i Porto Palermos, i cili përbëhet nga dy gjire: Armeridhës dhe Shën Nikollës si dhe Gjiri i Gravës, në jug.
Të dhënat studimore dhe ato të mbledhura nga kërkimet e fundit në rajonin bregdetar jugor të Shqipërisë, tregojnë një florë të pasur dhe diversitet të madh të habitateve, shoqërimeve bimore, të llojeve me një rëndësi të veçantë kombëtare, nga pikëpamja shkencore, ekologjike dhe socio-ekonomike.
Në zonën e Palermos, sipas studimeve të deri sotme, janë regjistruar 54 lloje, floristike, prej tyre 10 lloje, cilësohen të rëndësishme dhe 13 lloje, përfshihen në Librin e Kuq të Florës dhe Faunës Shqiptare.
Posidonia oceanica është përfshirë në Shtojcën I (Llojet e Florës së mbrojtur në mënyrë rigoroze) të Konventës së Bernës, dhe Shtojca II (Lista e llojeve të rrezikuara ose të kërcënuara) të Konventës së Barcelonës. Ajo është përfshirë gjithashtu në Listën e Kuqe të Florës Shqiptare. Në zonën e Porto Palermos janë regjistruar 2 lloje bimësh invasive/pushtuese, Agave americana L. dhe Ailanthus altissima (Mill.) Sëingle.
Zona e Porto Palermos – Llamanit, sidomos gjiret, janë një burim shumë i rëndësishëm për peshkimin dhe marinë-kulturën.
Livadhet me Posidonia formojnë lëndina nëndetare. Hapësira e pastër detare-bregdetare me vlera nënujore ende të paprishura, si prania e mbetjeve arkeologjike (amforat) të shekullit II para Krishtit, është fantastike për zhytësit.
1 nga 3/k.s/a.f/