E Enjte, 5 Nëntor 2026

Vangjel Tavo kandidat i PS-së për bashkinë e Himarës

TIRANË, 8 korrik/ATSH/- Prefekt i Qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo është votuar nga kryesia e Partisë Socialiste si kandidat për zgjedhjet në bashkinë e Himarës.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi në një prononcim për mediet u shpreh sot se kandidatura e Tavos “vjen si një figurë e njohur politike, njohës i asaj zone dhe i asaj krahine”.

“Garat elektorale e kanë përgatitur atë që të jetë përfaqësuese e atij komuniteti. 4 gushti është shumë afër. Do të kemi një garë të qetë elektorale. Shkojmë për të pasur një fushatë të qetë”, u shpreh Blendi Klosi pas mbledhjes së grupit parlamentar të PS.

Zgjedhjet e pjesshme në Himarë për kreun e Bashkisë do të zhvillohen më 4 gusht. Presidenti Bajram Begaj dekretoi këtë datë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i hoqi mandatin Fredi Belerit pasi është dënuar me vendim të formës së prerë me 2 vite burgim për shit/blerje votash.

Një pikë tjetër diskutim në Kryesinë e PS-së ka qenë edhe Kongresi. Për këtë arsye është vendosur që të mbahet më 27 Korrik.

“Po ashtu diskutuam për mbarëvajtjen e kongresit i cili do zhvillohet më datë 27 Korrik, një kongres i cili është një kongres zgjedhor, ku do të zgjidhet asambleja e re kombëtare e PS, forumet e saj më të larta”, deklaroi Klosi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›