Vangjeli: Spahiu bën premtime në parlament, por dyert e ministrisë janë të mbyllura për qytetarët

TIRANË, 23 shtator/ATSH/ Zëdhënësja e Antikorrupsionit në Partinë Demokratike, Genta Vangjeli kërkoi sot trajtim të menjëhershëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të rastit të të riut Albi Sula, vlerësim të plotë mjekësor dhe çdo mbështetje që parashikon ligji për hospitalizimin dhe trajtimin e tij edhe jashtë vendit.
Përmes një deklarate për shtyp, Vangjeli bëri të ditur se Sula ka kërkuar që shteti ta dërgojë në Turqi dhe pas refuzimit, vetë familja e ka dërguar për një ndihmë të specializuar në Turqi.
Nga Turqia, sipas saj, ai është kthyer me porosinë që të vijojë të kryejë kontrolle periodike për të mbajtur sëmundjen nën kontroll.
“Vetëm një ditë pas emërimit të ministres së re të Shëndetësisë, një nënë pensioniste u detyrua të shtrihej në tokë para Ministrisë së Shëndetësisë, për të kërkuar ndihmë për djalin e saj 30-vjeçar, Albi Sulën, i sëmurë dhe i papunë. Albi prej tre vitesh përballet me dhimbje të forta dhe, sipas dëshmisë së tij dhe familjes, pas vizitave, analizave dhe trajtimeve në Shqipëri ende nuk ka marrë një përgjigje të qartë për burimin e problemit të tij shëndetësor”, tha Vangjeli.
Sipas saj, Albi ka rikërkuar ndihmën e shtetit e konkretisht të MSHMS për të mundësuar kontrollet periodike në Turqi për shkak të pamundësisë ekonomike për t’i paguar vetë, dhe Ministria nuk ka bërë asgjë.
“Nëna e Albit kërkoi ndihmë në ministri, por askush nuk e priti. Kjo ndodhi vetëm pak orë pasi ministrja deklaroi se zyra e saj do të jetë e hapur nga mëngjesi në darkë në shërbim të qytetarëve”, tha Vangjeli.
/m.m/j.p/r.e/