Spahia: Dyshime për plagjiaturë në punimin e ministres Spahiu, kërkohet transparencë

TIRANË, 23 shtator /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia ka ngritur dyshime për plagjiaturë ndaj ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, lidhur me një punim shkencor të vitit 2018.
Në një deklaratë publike, Spahia iu referua investigimit të një emisioni televiziv, duke pretenduar se në punimin shkencor ka elemente që lidhen jo vetëm me kopjimin e pjesëve të studimeve të huaja, por edhe me përdorimin e metodologjisë, rezultateve dhe të dhënave të studimeve të kryera mbi pacientë jashtë Shqipërisë.
Sipas deputetit demokrat, këto të dhëna janë paraqitur në kontekstin e një studimi mbi pacientët e Spitalit të Durrësit.
Spahia kërkoi nga ministrja Spahiu të bëjë transparencë dhe të publikojë punimin integral, të dhënat shkencore dhe dokumentacionin mbi të cilin janë mbështetur rezultatet e studimit.
Deputeti e cilësoi çështjen si një problem që prek integritetin akademik dhe profesional të ministres, duke kërkuar sqarime edhe për përgjegjësinë publike që lidhet me funksionet e saj si ministre, mjeke, pedagoge dhe deputete.
“Spahiu nuk duhet të fshihet pas postit të ministres. Nëse nuk mund t’i rrëzojë me prova faktet e publikuara, minimumi i përgjegjësisë është të japë dorëheqjen dhe t’u nënshtrohet institucioneve kompetente, si çdo qytetar tjetër. Në Europë, ministra kanë dhënë dorëheqjen për çështje të integritetit akademik, siç ishte rasti i ministrit gjerman të Mbrojtjes pas skandalit të plagjiaturës. Spahiu, dorëheqja është akti i parë i përgjegjësisë politike, por nuk e mbyll këtë çështje”, përfundoi deputeti demokrat.
/e.i/j.p/r.e/