Vapor izraelit për barutin e Gërdecit

Mihal Delijorgji dje në gjykatë
Një ditë para shpërthimit të 15 marsit 2008 në Gërdec, dy administratorët e SAC-Albademil, amerikani Patrik Henri dhe biznesmeni shqiptar tashmë i pandehur, Mihal Delijorgji, kanë diskutuar mbi eksportimin e një sasie prej 700 tonësh barut.Një vapor izraelit ishte porositur për këtë punë dhe në fund të muajit qershor pritej të vinte në Durrës të merrte barutin. Ky fakt u bë i ditur në seancën e djeshme gjyqësore të dosjes Gërdeci, gjatë një deklarimi të të pandehurit Delijorgji. Deklarimi i të pandehurit u parapri nga një debat i tensionuar mes palëve, për shkak të cilësisë në të cilën pritej të pyetej dje Delijorgji. Një seancë më parë i pandehuri refuzoi tu përgjigjej pyetjeve që kishin të bënin me cilësinë e administratorit, thanë prokurorët. Por, sipas tyre, në fazën e kërkimit të provave, organi i akuzës ka kërkuar të pyeten të gjithë të pandehurit, por jo Albademil. Në këtë mënyrë, prokurorët kërkuan që Delijorgji të pyetej në cilësinë e të pandehurit. Pas konsultimit me avokatët e tij, Delijorgji refuzoi të pyetej si i pandehur, por ishte i gatshëm nëse pyetej si administrator i shoqërisë që demontonte municionin në Gërdec. Kur ky pretendim u rrëzua nga gjykata, Delijogji dha një deklarim të lirë.
DEKLARIMI I DELIJORGJIT
Deklaroj me përgjegjësi të plotë se kam qenë bashkadministrator i Albademil rreth gjithë aktivitetit të kompanisë, nga momenti i fillimit e deri në 15 mars 2008. Nga momenti i njohjes me Patrik Henri dhe i krijimit të kompanisë, ndarja e aksioneve dhe detyrimet pas marrjes së kontratës janë: Unë, Mihal Delijorgji, kisha pjesën financiare, ndërsa Patrik Henri do të mbulonte anën teknike të sigurisë. Në punët tona të ndara ramë dakord që të caktonim drejtor të Përgjithshëm Dritan Minxollin. Minxolli për anën teknike konsultohej dhe komunikonte me Patrik Henrin. Për anën financiare dhe nënproduktet metalike komunikonte me mua. Njëkohësisht, për barutin përgjegjës ishte Patrik Henri. Licensat i kishte marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe shteti amerikan për të ekspertuar këtë barut. Kjo bëhej shumë thjeshtë duke u bazuar në kërkesat dhe licensat që ka marrë nga Ministria e Mbrojtjes dhe shteti amerikan. Unë kam një prej tyre, qe është për një sasi 700 tonë. Njëkohësisht, të gjitha pagesat që bëheshin nga shitja e barutit kishin rënë dakord që do të llogariteshin në fund te fitimi i kompanisë. Për sasinë e eksportit që ishte bërë deri në ato momente, mund të shikoni që nuk ka asnjë transfertë bankare nga kompania në Belgjikë. Eksporti bëhej në emër të SAC. Njëkohësisht, me punën e baletave speciale që duheshin për barutin, i ka sjellë të gjitha kompania SAC. Takimi i datës 14 mars me Patrik Henri. Patrik Henri kishte rreth një javë në Shqipëri. Unë gjatë kësaj kohe kam qenë jashtë shtetit. Kur jam kthyer, jemi takuar në zyrat e një kompanie tjetër në Tiranë, ku unë isha administrator. Gjatë bisedës prezent ka qenë edhe drejtori i fabrikës, Dritan Minxolli. Kemi diskutuar rreth punëve, për projektin e dytë që po vazhdonte. Në bisedë më ka thënë shprehimisht: Gjatë një jave kam qenë në fabrikë me Minxollin. Kemi parë procesin, po në këtë moment paralelisht me këtë punë, që mua më pëlqen, isha në Durrës për të bërë një bisedë për një sasi kontenierësh. Planifikoj se nga fundi i muajit kam prenotuar një vapor izraelit për të ardhur për të marrë 700 ton barut. Por, kam probleme financiare. Nëse ju e shihni të arsyeshme nga ky material i projektit të dytë, dua për llogarinë time të marr 200 tonë tunxh. Unë kam shprehur miratimin tim. Në atë moment më ka dhënë adresën dhe numrin e llogarisë së tij bankare për të kryer transaksionin. Nga kjo sasi që shitej i duheshin paratë për shpenzimet e vaporit. Patrik Henri, si administrator teknik dhe i sigurisë gjatë gjithë kohës së projekteve, atij të parë dhe atij të dytë, kishte specialistët e tij që merreshin me këtë punë. Te projekti i dytë, që nga futja e barutit, ambalazhimi e deri te ngarkimi, bëhej nën mbikëqyrjen e një personi që quhej Teilor. Patrik Henri në bisedën e tij të fundit më tha se do të sillte një furrë për djegien e djegoreve dhe ca makineri të tjera për heqjen e tritolit. Unë i kam thënë Sokol Ngjecit se kush mund të ishin specialistët më të mirë që kanë kryer këtë punë. Në takimin që kemi bërë, në një kafe pranë fabrikës, kemi diskutuar vetëm për anën financiare. Kam thënë këto fjalë: Përgjegjësia ime është vetëm në anën financiare. Për të tjerat është Minxolli dhe amerikani. Unë edhe kur kam vajtur në fabrikë për të takuar drejtorin e fabrikës dhe kam parë ndonjë prej tyre, pavarësisht se kush ishte përgjegjës, smë kanë thënë asnjëherë për ndonjë gjë që përbënte rrezik, deklaroi i pandehuri Delijorgji.
Dëshmon edhe Pinari, fishekë me zarf në SHBA
TIRANE- Ylli Pirani, ish-kreu i ndërmarrjes MEICO, i pandehur në procesin Gërdeci në Gjykatën e Tiranës, rrëfeu dje e-mail-et që kishte shkëmbyer me amerikanin Patrik Henri, për interesin e tij për municionet e vjetra shqiptare. Nga banka e dëshmitarit, i pandehuri Pinari iu përgjigj pyetjeve të Prokurorisë në lidhje me hapat e parë të amerikanit Henri në vendin tonë. I pandehuri tregoi mbi e-mail-et e shkëmbyera, vizitat e Patrik Henr në zyrat e MEICO-s e në depot e municioneve, si edhe monstrat e disa predhave plumbash të dërguara në SHBA me postë. Para trupit gjykues, Pinari tha se Henri i kishte dërguar atij një e-mail. Patrik Henri ka dërguar një e-mail ku më bënte përshkrimin e tij dhe thoshte: Do të vij tre ditë të bëj inspektim për municionet e vjetëruara. Vizitën e parë Henri e ka bërë në mars 2006. E pritën punonjësit e mi në Rinas dhe e sollën në zyrën time, tha Pinari. Sipas tij, Henri e kishte siguruar adresën e postës elektronike të të pandehurit nga pronari i një firme zviceriane. Në lidhje me interesin e amerikanit Henri në Shqipëri, i pandehuri Pinari u shpreh: Qëllimi i tij i parë ishte të kërkonte të inspektonte municionet e vjetra për shitje. Në një e-mail tjetër të datës 09.03.2006 ai thoshte: Unë këto municione i demontoj. Më kërkonte të dhëna për sasinë dhe cilësinë e municioneve. Me e-mail më pyeste A do të jetë e mundur që të bëj një proces demontimi në një bazë ushtarake, për arsye sigurie?
Monstrat e fishekëve janë dërguar me DHL në adresën e Patrik Henri në SHBA. Ai donte ti analizonte dhe të shikonte përqindjen e përmbajtjes së metaleve përbërëse, u përgjigj i pandehuri. Më vonë, Pinari sqaroi se fishekët ishin demontuar në zyrën e tij nga Patrik Henry. Në vijim, gëzhojat e tyre ishin copëtuar dhe grimca të tyre ishin marrë si mostra. Para treshes së gjyqtarëve Pinari tha se herën e parë të ardhjes në Shqipëri Patrik Henri kishte prezantuar projektin e tij të demontimit me anë të një lap-top-i në zyrën e tij te MEICO. Pyetjes së prokurorëve se përse Patrik Henri ka shfaqur interes për demontim vetëm në e-mail-in e datës 8 mars 2006, dhe jo në ato të mëparshmet, i pandehuri tha se interesat i dinte vetë Patrik Henri. Arsye tjetër ishte që municionet kinezë kanë procedura shumë të gjata për tu çuar në SHBA. Patrik Henri ka marrë dijeni nga specialistët e MEICO-s për koston. Në e-mail-in e datës 9 mars ai kërkonte miratim nga Ministria e Mbrojtjes për projekt-propozimin e tij, pohoi Pinari. Gjatë dëshmisë, i pandehuri Pinari u shpreh se Ministria e Mbrojtjes kishte udhëzuar demontimin e municioneve të kalibrave të mëdha për së pari, por Patrik Henri kërkonte të kundërtën. Patrik Henri ka dërguar e-mail më 27 qershor 2006, ku më kërkonte të vizitonte për herë të dytë uzinat e demontimit. Gjatë inspektimeve të Patrik Henri në depot e municioneve, ka kërkuar që demontimi të fillonte me kalibrat e mëdhenj, pasi janë më të lehtë në demontim.