E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alket Rizai trukon ndeshje nga burgu

Alket Rizai, shqiptari i arratisur dy herë nga burgjet greke me helikopter, është përfshirë në skandalin e trukimit të ndeshjeve që ka mbërthyer ditët e fundit vëmendjen e medias greke.Këto të fundit kanë bërë dje publike një bisedë të zhvilluar nga burgu prej Alket Rizait me biznesmenin Jorgos Xhakojanis, aksioner i skuadrës greke të futbollit, Heliopolis. Biznesmeni në fjalë është arrestuar tri ditë më parë në Selanik, në kuadër të 16 arrestimeve të kryera nga autoritetet helene pas skandalit të trukimit të ndeshjeve sportive në këtë vend. Sipas Policisë greke, mësohet se organizata greke kishte ndërmend të trukonte ndeshje edhe në Shqipëri dhe për këtë një pikë kontakti ka qenë Alket Rizai, shqiptari i famshëm në Greqi për dy arratisjet spektakolare nga burgu me helikopter. Aktualisht, Alket Rizai mbahet në burgun e Grevenasë, ku po vuan dënimin për vrasje, por asgjë nuk e ka penguar mesa duket të flasë në telefon me biznesmenin e njohur në Greqi. Mediat lokale në Selanik bënë publike dje bisedën e mbajtur mes Rizait dhe biznesmenit, ku përmendet një shumë prej 20 mijë eurosh dhe një ndeshje e kampionatit shqiptar të futbollit. Prokuroria greke ka thënë se biseda në fjalë është zhvilluar më datën 28 mars 2011. Sipas Prokurorisë greke, dy bashkëbiseduesit janë Alket Rizai dhe presidentin i skuadrës Heliopolis, shtetasi Jorgos Xhakojanis. Ata flasin mes tyre për një ndeshje që ishte zhvilluar në Shqipëri, ku shifra që përmendet është 20 mijë euro. Alket Rizai i ka sugjeruar biznesmenit të luante për këtë ndeshje duke vënë në punë 20 mijë euro. Popi Papandreu, prokurore e çështjes në Greqi, pasi zbuloi bisedën, tha se bëri hetime shtesë dhe gjeti informacione e prova që tregojnë se Alket Rizai dhe biznesmeni Jorgos Xhakojanis kanë miqësi të ngushtë. Ditët e fundit, Prokuroria greke ka nxjerrë urdhër-arresti edhe për ish-presidentin e sport-klub Aek, Makis Psomiadhis. Në skandal përmendet edhe emri i presidentit të Olimpiakosit, Vangjelis Marinaqis. Një grup prej 16 personash në Greqi janë akuzuar së fundi për trukim të ndeshjeve dhe pastrim parash. Alket Rizai është një emër i njohur për median dhe publikun në Greqi. Ai u arratis dy herë nga burgjet e sigurisë së lartë në Greqi, duke përdorur helikopter. Arratisja e parë ndodhi më 2 qershor 2006, kur Alket Rizai dhe miku i tij Vasilis Paleokostas u larguan me helikopter nga burgu ku shqiptari mbahej për një vrasje. Rizai u arrestua rreth një vit më vonë, ndërsa Policia greke dështoi në disa aksione radhazi për kapjen e tij. Më pas, në vitin 2009, më 22 shkurt, Alket Rizai u arratis sërish nga burgu grek Koridhalo. Kësaj radhe helikopteri ishte prenotuar nga e dashura e Alket Rizait.

20 mije
euro është shuma e bastit që Alket Rizai i sugjeron mikut të tij biznesmen nga Greqia për të vendosur si bast për ndeshjen e kampionatit shqiptar

16 persona
janë arrestuar nga Policia greke në kuadër të hetimeve për skandalin e trukimit të ndeshjes së futbollit. Përgjimet telefonike zbuluan këtë skandal

2 shqiptare
ishin implikuar edhe në skandalin e trukimit të ndeshjeve në Itali, ku një muaj më parë u arrestuan 14 persona, mes të cilëve edhe Xhuzepe Sinjori

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›