Varfërohet tregu i veturave

Ekspertët presin rënie të fortë të shitjeve në tregun evropian të automjeteve. Krejt ndryshe flasin parashikimet për Kinën, SHBA-në dhe Rusinë.
"Bota e automjeteve aktualisht po riorganizohet dhe kjo ka pasoja për vendet e prodhimit", thuhet në një studim të publikuar, nga studiuesi i njohur i sektorit të automjeteve, Ferdinand Dudenhöffer, nga Universiteti i Esenit. Me gjithë krizën financiare, falë subvencionimit nga shteti gjerman i blerjes së makinave të reja duke hequr dorë nga të vjetrat, si dhe në sajë të programeve stimuluese për koniunkturën, viti 2009 ishte i gjashti më i mirë për shitjet e makinave në botë.
"Rënia e fortë nuk ndodhi", thekson eksperti për sektorin e automjeteve, Dudenhöffer. Sipas studimit, gjatë vitit të kaluar në të gjithë botën u shitën 52,8 milionë makina, 5,4 për qind më pak se një vit më parë. Ndërsa në Gjermani, falë subvencionimit që morën nga shteti pronarët e automjeteve për të këmbyer modelet e vjetra me të reja, u shitën madje 3,8 milionë makina, ose 24 për qind më shumë se gjatë 2008-s.
Edhe në Evropën Perëndimore, sasia e shitur u rrit ndjeshëm. Ndërsa në Amerikën e Veriut shitjet ranë me gati 22 për qind, tregu rus pësoi një rënie të shitjeve prej 44 për qind. Humbës të tjerë ishin Japonia, Kanadaja, Spanja dhe Anglia. Kampioni në tregun ndërkombëtar të automjeteve, sipas përllogaritjeve, ishte Kina me një rritje prej 44 për qind me 8.2 milionë makina të shitura.
Për këtë vit, eksperti Dudenhöffer pret zhvendosje masive të fuqisë blerëse. Por në total, tregu ndërkombëtar i automjeteve do të zhvillohet pozitivisht. Gjithsej kërkesa në gjithë botën do të rritet me 4,3 për qind në 55 milionë makina të shitura, para së gjithash falë tregjeve në SHBA, Kinë, Rusi dhe Indi. Në Evropën Perëndimore do të shiten gati një milion makina më pak se më 2009, një minus prej 7 për qind. Për Gjermaninë, eksperti pret një rënie të kërkesës me 25 për qind, në 2,8 milionë makina. "Përgjegjës për rënien e kërkesës është në radhë të parë shtysa artificiale që u krijua nga bonusi shtetëror për ndërrimin e automjeteve të vjetra", mendon Dudenhöffer.