Varrmihësit e Tiranës që zvarriten pas politikës
Nga inxh. Gazmend Beka
Simbolet e Tiranës së Albert Brojkës janë tanimë të njohura: pallatet jeshilë të Pingulit, kioskat e Lanës dhe Parkut të Tajvanit, dhe kinematë e kthyera në WC publike pa zot. I ardhur në krye të Tiranës në vitin 1996, duke qenë njëkohësisht kryetar bashkie dhe ministër Ndërtimi, ai njeri është i vetmi që ka pasur shansin të shndërrojë Tiranën në metropol duke pasur me vete pushtetin qendror dhe atë lokal.
Por të gjithë e mbajnë mend se si në vend të Brojkës ndërtimet në Tiranë filloi ti komandonte një ndërtues që bënte pallate jeshile në sheshe ndërtimi pa pronarë që ia gjente kryebashkiaku, duke i dhënë Tiranës pallatet më pa standard dhe pa asnjë vlerë urbane pas pallateve të tipit “Koleka” që ishin ndërtuar gjatë komunizmit. Ndërtuesi i shfaqur si komisar politik i Bashkisë nuk respektonte as rregullat e vjetra dhe as rregullat e reja urbanistike të qytetit. Të gjithë pallatet e tij u bënë pa parkim nëntokësor, edhe pse ishin në vende luksoze. Sot qytetarët e pasur që kanë blerë shtëpi në ato pallate, i parkojnë makinat rrugëve ose në parkingje private. Projektideja e vetme që ky ndërtues kishte kur ndërtonte, ishte të gjente truall pa pronarë, pavarësisht se ku ishte ky shesh. Kështu mund të shikoni si Brojka nën urdhrat e tij, ka dhënë leje ndërtimi në mes të akseve rrugore, siç është rasti i bllokimit të rrugës nga Shallvaret për tek Drejtoria e Policisë. Asnjë shqetësim për jetën sociale të banorëve dhe të ardhmen e kryeqytetit, përveç shqetësimit për të ardhurat e ndërtuesit.
Edhe pse formalisht ky ndërtues punësonte arkitektë të njohur, asnjë prej tyre edhe për turp të tyre, nuk guxoi të bënte një punë dinjitoze me të cilën mund të krenohen në Tiranë. Ata nuk guxojnë më të tregojnë se i kanë projektuar ata, ato pallate.
Por për të parë kryeshëmtinë e këtij ndërtuesi, shkoni tek lulishtja pas kullave binjake në bulevard dhe shikoni themelet e hedhura për një pallat 12 katësh në krah të ambasadës zvicerane. Në zonën më luksoze të Tiranës, ky ndërtues mediokër dhe komisar politik, pretendon të ndërtoj një 16 katësh pa parkim nëntokësor dhe me një shëmti të vërtet urbanistike.
Albert Brojka ia ka dhënë lejen e ndërtimit me kriteret e ligjit të vjetër urbanistik, pasi ishte miratuar ligji i ri dhe me të drejt ajo leje i është pezulluar nga gjithë qeveritë shqiptare dhe gjykatat e vendit. Javën e fundit në pushtet Albert Brojka firmosi 192 leje ndërtimi, duke i lënë Tiranës një bombë me sahat në dorë që ishte e pamundur të kalonte pa pasoja edhe me ndërhyrjet shpesh herë arrogante të Edi Ramës për ti ndalur ato.
Me injorancën dhe mediokritetin e tyre, ky ekip ndërtuesish, arkitektësh dhe kryebashkiaku Brojka, i lanë Tiranës trashëgim katrahurën, pamjen anadollake, dhe shëmtitë urbanistike të këtij ndërtuesi. Dhe të vjen keq kur në këtë listë të përdorurish shikon dhe arkitektë si Agron Lufi apo inxhinierë që kanë punuar nën trysnin e megalomanëve injorantë që shkatërruan Tiranën.
Kohët e fundit ky ndërtues është ringjallur sërish, fillimisht duke blerë titullin akademik politikisht dhe duke tentuar të fusë në xhep kryetarin e ri të Bashkisë që shpreson ta kthejë në një ushtar të tij si paraardhësin e vet demokrat, që e blinte me xhetona kazinoje.
Ambasada e Zvicrës në Tiranë ka hapur padi ndaj tentativës zyrtare për ti krijuar mundësi të ndërtojë një përbindësh të ri të shëmtuar dhe jashtë normave urbanistike tek lulishtja e Vëllezërve Frashëri, duke shkelur konventat ndërkombëtare për diplomatët e huaj dhe marrëveshjet e qeverisë shqiptare me autoritet zvicerane për të ardhmen urbanistike të asaj zone.
Ky ndërtues, i cili mburret se ka paguar një botues të Berishës për të prishur Zogun e Zi, ku ka një tjetër pallat të shëmtuar, tani mendon se do të prishë dhe zemrën e Tiranës për të tentuar të rikthej kohën e art të tij kur luante me kryebashkiakun e Tiranës, si zar rulete.
Tirana po vuan ende pasojat e asaj qeverisje dhe gati 90 për qind të lejeve të kohës së Brojkës duhen shembur nëse ky qytet duhet të bëhet normal. Por hienat që e kanë pasë kapur atë peng atëherë, po vrapojnë të bëjnë të njëjtën gjë përsëri.
