Varshava “flakë” ndaj Anglisë, Polonia me mision të qartë

Ditën e mërkurë duke filluar nga ora 20:45, Polonia do të përballet me një provë të vërtetë atë ndaj Anglisë për raundin e 6-të të kualifikueseve të Kupës së Botës, Katar 2022. Në Varshavë, Levandovski me shokë do të kërkojnë të ndalin vrullin e “Tre luanëve” që deri më tani janë të pamposhtur në Grupin I aty ku bën pjesë edhe Shqipëria me një golavarazh prej 17 golash të shënuar dhe vetëm 1 i pësuar.
Megjithatë Polonia mund të mburret se ka sulmin më të mirë me 18 gola, ku në dy ndeshjet e fundit, ndaj Shqipërisë dhe San Marinos ka shënuar 11 gola. Levandovski mungoi në ndeshjen e marsit ndaj Anglisë, ndërsa ditën e mërkurë do të kërkojë golin e 72 me Poloninë, tekniku Paolo Sousa mund të bazohet edhe te forca e një tjetër sulmuesi si Adam Buksa.
25-vjeçari ishte protagonist në ndeshjen me San Marinon, pasi për 25 minuta shënoi tre gola, pa harruar edhe realizimin me Shqipërinë në atë fitore 4-1. Jan Bednarek dhe Kamil Glik rikthehen në qendër të mbrojtjes, ndërsa dëmtimi i Berezynskit me Shqipërinë duket se është kaluar, por nuk dihet nëse mbrojtësi i Sampdorias do ta nisë si titullar sfidën ndaj Anglisë, po e njëjta gjë edhe për mesfushorin e Napolit, Piotr Zielinski.