Vasili: 2 studente në gjendje të rëndë, s`do ketë transportime

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili, ka deklaruar se dy prej tyre studenteve të plagosura janë në gjendje kritike për jetën. Në një prononcim për mediat pas vizitës që zhvilloi në Spitalin Ushtarak ku mbahen nën mjekim 14 studente, ministri Vasili theksoi se parametrat e tyre janë mbajtur në mënyrë të qëndrueshme nga stafi që po kujdeset.
“Ka ecuri pozitive, por vazhdon të mbetet serioze gjendja e 2 vajzave, traumat e të cilave kanë qenë të gjera, edhe në këtë rast parametrat e tyre janë mbajtur në mënyrë të qëndrueshme nga stafi që ka bërë një punë profesionale”- tha Vasili.
I pyetur nëse është vlerësuar transportimi I studenteve të plagosura në spitale më të specializuara jashtë vendit, Vasili ka deklaruar se në kushtet aktuale, kjo është e pamundur. “Transporti i tyre është i pamundur se mbahen në jetë me aparatura, ato do të vlerësohen hap pas hapi nga stafi mjekësor. Nuk do të bëhet asnjë hap i nxituar që do të rëndonte situatën” shtoi Vasili.