Aksidenti në Himarë, sot homazhe edhe në Elbasan

Miq, shokë dhe studentë të universitetit “Aleksandër Xhuvani” po zhvillojnë sot homazhe në hollin e universitetit në kujtim të 13 viktimave të aksidentit tragjik në Himarë.
Homazhet kanë nisur rreth orës 11:30 në hollin e universitetit ndërsa në orën 12:00 është mbajtur edhe një minutë heshtje në nderim të 13 viktimave të aksidentit tragjik në Himarë. Homazhe në universitetin "Aleksandër Xhuvani" do të zhvillojë edhe presidenti Topi si dhe autoritete të larta të vendit.
Në një linjë telefonike për “Ora News” rektori i universitetit “Aleksandër Xhuvani “ Liman Varoshi theksoi se edhe pse trupat e pajetë janë tërhequr nga familjarët, universiteti do t`i nderojë viktimat duke vendosur foto të tyre në hollin e universitetit.
“Trupat janë tërhequr nga familjarët e viktimave por megjithatë ne kemi vendosur edhe si shtab që të bëhen homazhet në katin e parë të universitetit me fotot e viktimave dhe me kurora me lule. Kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre edhe me autoritetet më të larta të shtetit shqiptar do të jenë pjesëmarrës në këto homazhe” theksoi Varoshi
Ai ka theksuar se studentët janë nisur rreth orës 07:15 nga Elbasani në kuadër të një ekspedite studimore ndërsa shtoi se studentët në autobuzin tjetër kanë arritur mirë në Elbasan. “Kjo ishte një ekspeditë mësimore dhe vlerësohet me kredite dhe studentët duhet t`i shlyheshin ato. Kanë qënë gjithsej 74 studentë ndërsa autobuzi që nuk kishte viktima u kthye në Elbasan” shtoi Varoshi.