E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vasili: Kërkojmë që çdo votëe shqiptarëve të numërohet

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, jep dallimet mes LSI-së dhe PS-së sa i takon Kodit Zgjedhor. 

Aristir Lumezi

Vasili shprehet se koalicioni i përbërë është një Dushk i ri, i cili u jep jetë partive fiktive. Ndërsa përmes korrektimit kombëtar të sistemit, Vasili nënkupton numërimin e çdo vote të dhënë nga elektorati për çdo parti dhe kthimin e saj në mandat përfaqësimi. Ai akuzon dy partitë PS dhe PD se kërkojnë të riciklojnë realitete fiktive politike përmes këtij sistemi zgjedhor.    
PS këmbëngul te koalicionet e përbëra, ndërkohë që ju si LSI i konsideroni si koalicione bishtash. Cilat sipas jush, janë defektet e këtij koalicioni?
Para së gjithash kjo shpikje, e cila mund të etiketohet si formula Rama-Berisha, sepse në të dy krahët e politikës vërehet një lloj kooperativizimi i politikës, të cilës i kanë vënë emrin “koalicion i përbërë”, është thjesht një bashkim i ndërtuar mbi principe krejt të pandershme, të cilat kanë si lajtmotive të tyre përvetësimin allo-dushk të votës së shqiptarëve. I tërë sistemi zgjedhor i ndërtuar nga këta, rëndom Berisha e quan të propozuar nga Rama dhe të miratuar nga ai, ka kërkuar thjesht dhe vetëm që sistemi të vinte në dukje qartë se cila është pesha e partive, do të thotë, që partitë që konkurronin të tregonin se cila do të ishte pesha e tyre në elektorat dhe pasi zgjedhësit të jepnin verdiktit, të ndërtoheshin dhe koalicionet politike përkatëse. E thënë kjo, më së fundi Shqipëria do të çlirohej njëherë e mirë nga partitë fiktive dhe do t’u kthehej partive të vërteta. Çfarë bën sistemi? Sistemi përpiqet që t’i riciklojë realitetet fiktive, nëpërmjet koalicionit të përbërë të bishtave, dhe fiktivisht të prodhojë deputetë që realisht elektorati nuk i ka votuar. Çfarë kemi kërkuar ne? Ne kemi kërkuar që një koalicion i tillë si një mashtrim dhe si një hile politike s’ka asnjë lidhje me sistemin zgjedhor dhe vullnetin e votuesve dhe kemi kërkuar konkurrim të të gjitha forcave politike, të cilat të maten me elektoratin. Meqenëse sistemi spanjoll krijon pragje artificiale rajonale që variojnë nga 4-20 për qind, ne duam të ketë një korrektim kombëtar, që do të thotë që, parti të cilat, sipas një pragu të vendosur në mënyrë konsensuale që mund të jetë 2, 3, 4 apo 5% të mundësojë që partitë që votohen dhe kalojnë një prag politik, të kenë përfaqësimin e tyre në parlament. Kjo sigurisht nuk ka lidhje me LSI-në dhe interesat e saj, por ka lidhje me një përfaqësim të ndershëm të asaj që ka ndodhur në zgjedhje.
Ndërsa koalicioni i përbërë nuk kërkon që t’i afrohet asaj që zgjedhësit japin përmes votës së tyre, por kërkon që këto vota t’i përvetësojnë në tavolinë. Kjo është diferenca jonë e madhe. Pra, ne kërkojmë një votim të ndershëm dhe vota të prodhojë atë që voton elektorati, ndërsa këta kërkojnë të deformojnë me një dushk të një tipi tjetër, votën që elektorati nuk e ka dhënë për ta.
Ju mendoni se në koalicionet e përbëra mund të ketë mbijetesë edhe për partitë, që nuk kanë peshë në elektorat?
Sigurisht që s’ka asnjë arsyetim tjetër përveç këtij që ju ndërtoni përveç pyetjes suaj. Sepse secila parti do të duhej të lihej e lirë në përballje me elektoratin përkatës, dhe vendimi i elektoratit do të duhej të përkthehej më tej në aleanca paszgjedhore. Kurse krijimi i këtyre koalicioneve të përbëra, me qëllimin e vetëm që presjeve dhjetore t’u jepet një kuptim politik, ndërkohë që këtë kuptim këto presje nuk i kanë, do të thotë vetëm i të njëjtit fenomenologji të vitit 2005, ku dushk-partitë vazhdojnë të ekzistojnë në një formë tjetër.
Çfarë ka në vetvete korrektimi kombëtar që ju kërkoni?
Korrektimi kombëtar do të ketë një qëllim në vetvete; afrimin sa më shumë të jetë e mundur tek e vërteta elektorale. Sistemi ka prodhuar një anomali të tillë që partitë të mund të arrijnë të marrin edhe 5 për qind dhe 6 për qind dhe për hir të sistemit të mos kenë qoftë edhe një deputet në parlament. Më thonë a është e ndershme kjo? Po votat e këtyre partive ku do shkojnë, do përvetësohen nga partitë e tjera? Ne duam që këto vota të numërohen për vetë këto parti dhe të mos përvetësohen nga partitë e tjera.
Në mënyrë më të qartë, teknikisht si do të funksionojë ky korrektim?
Ne duam të vendosim një prag të caktuar me konsensus të plotë, 4, 5 për qind, një sasi mandatesh, 20-25 mandate deputetësh të mos ndahen nëpër qarqe dhe të tëra partitë që kalojnë pragun e tyre, përfshirë dhe partitë e mëdha, të përfitojnë nga këto mandate, 1 ose 2 deputetë, sipas rezultatit që kanë marrë. Në këtë mënyrë nuk humbet përfaqësimi i tyre dhe ajo që është më e rëndësishmja, është se nuk u përvetësohet vota nga të tjerët.

Starova: Në 2009 koalicion me PD-në

Kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat, Arjan Starova, tha dje se kjo forcë politike do të jetë në koalicion me Partinë Demokratike, duke përjashtuar në të njëjtën kohë mundësinë e shkrirjes në partinë më të madhe të koalicionit të djathtë. “Ne kemi sot një qëndrim zyrtar të partisë, se do të dalim në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2009 në një koalicion me bazë të gjerë me PD-në, bashkëpunim që duhet të jetë afatgjatë siç edhe ka qenë deri më sot”, theksoi Starova. Sipas tij, “kemi qenë gjithnjë të pranishëm në qeveri, në Kuvend dhe pushtetin vendor, madje për pushtetin vendor në zgjedhjet e vitit 2007 kemi pasur arritje të mëdha, jo vetëm në Tiranë, por edhe në degët tona në rrethe”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›