Vata kujton debatin me Kahn: Nuk u frikësova
Aktualisht militon te Vupertaler në ligën e tretë gjermane, por Fatmir Vata i ruan ende të freskëta kujtimet nga periudha kur luante në elitë. Një prej episodeve që më së shumti ka mbetur i gdhendur në kujtesën e tifozëve, ishte zënka e sulmuesit me portierin e famshëm gjerman, Oliver Kahn. Debati mes tyre ka ndodhur në ndeshjen që ish-skuadra e shqiptarit, Arminia Bielefeld, ka luajtur kundër Bajernit të Mynihut në sezonin 2005/06. Edhe Vata e mban mirë mend atë episod dhe ka treguar se Kahn e kishte nisur i pari konfrontimin, e për këtë arsye ai nuk lëshoi aspak pe. “Ajo ndeshje ishte shumë e rëndësishme për ekipin tim. Unë e mora topin dhe ia bëra gati Kahnit për të nisur lojën, me qëllim që mos të humbej kohë. Fillova të eci dhe nuk vura re asgjë, vetëm kam dëgjuar tifozët e pranishëm që nisën të vërshëllenin”, ka kujtuar 38-vjeçari për televizionin “VZ TV”. “Sapo ktheva kokën, nuk pashë asgjë tjetër përveç fytyrës së Kahnit. Duke bërtitur ai më tha se nuk ishte puna ime që t’ia rregulloja topin për ta goditur. Kahn mendoi se do të largohesha, por kjo nuk ndodhi, sepse unë qëndrova aty pranë tij. Pavarësisht ngjarjes, i kuptoj arsyet e tij, pasi portierit i interesonte që loja të vonohej”. Më tej, Fatmir Vata theksoi se disa kohë pas debatit, Oliver Kahn e kishte pranuar gabimin, duke i kërkuar falje ish-futbollistit të Arminias. Sulmuesi shtoi: “Diku, ndoshta rreth një vit më vonë, skuadra ime kishte për të luajtur sërish me Bajernin. Aty u takova me Kahn dhe u sqaruam. Ai më tha ‘Fatmir më fal, ajo e imja nuk ishte një sjellje e mirë’. Unë ia rikujtova se në ato momente nuk u frikësova, por qëndrova aty. Këtë e pranoi edhe vetë Kahn, i cili më tha: ‘Po e di’”. Vata ka folur edhe rreth aventurës në ligën e tretë gjermane, duke konfirmuar se ndihet mirë në radhët e Vupertaler, pjesë e së cilës u bë në gusht të vitit të kaluar.
#