Vatikani thirrje qeverive të mbikëqyrin zhvillimin e inteligjencës artificiale: Hije e së keqes

Vatikani u ka kërkuar qeverive të mbikëqyrin me kujdes evolucionin e inteligjencës artificiale (IA), duke paralajmëruar për “një hije të së keqes” në aftësinë e tij për të përhapur informacion të rremë.
“Media e rreme e krijuar nga inteligjenca artificiale mund të dëmtojë gradualisht themelet e shoqërisë,” tha një dokument i ri etik mbi inteligjencën artificiale, hartuar nga dy ministri të Vatikanit dhe miratuar nga Papa Françesku.
“Kjo çështje kërkon një rregullim të kujdesshëm, pasi dezinformimi, veçanërisht nëpërmjet mediave të kontrolluara ose të ndikuara nga inteligjenca artificiale, mund të përhapet pa dashje, duke ushqyer polarizimin politik dhe trazirat sociale,” thuhet në dokument.
Papa Françesku, kreu i Kishës Katolike prej rreth 1.4 miliardë besimtarësh, e ka përqendruar vëmendjen e tij në çështjet etike që rrethojnë inteligjencën artificiale vitet e fundit.
Javën e kaluar, papa dërgoi një mesazh në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, duke paralajmëruar udhëheqësit politikë dhe ekonomikë dhe udhëheqësit e biznesit se teknologjia ngre “shqetësime kritike” rreth së ardhmes së njerëzimit.
Papa foli për teknologjinë edhe në samitin e G7 në Itali në qershor, duke vënë në dukje se njerëzit nuk duhet të lejojnë algoritmet të vendosin fatin e tyre.
Ky dokument i ri i Vatikanit, shqyrton ndikimin e inteligjencës artificiale në një sërë sektorësh, duke përfshirë tregun e punës, shëndetësinë dhe arsimin.
/rtsh.al/