E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vatileaks nje ne pranga

Një person është ndaluar nga xhandarmëria e Vatikanit si përgjegjës për rrjedhjen e informacioneve sekrete të Selisë së Shenjtë.

Personi i ndaluar, identiteti i të cilit nuk bëhët publik, mësohet se është një punonjës i Vatikanit i cili ishte vënë në zotërim të dokumenteve tepër sekrete në mënyrë të paligjshme. Rangu i tij në hierarkinë e klerit të Vatikanit, nuk e lejonte atë të zotëronte dokumenta të tilla.

“Hetimi i xhandarmërisë së Vatikanit mbi rrjedhjen e dokumentave sekrete çoi në arrestimin e një personi që akuzohet për zotërim të paautorizuar të këtyre dokumenteve. Ky person ndodhet nën mbikqyrjen e magjistraturës së Vatikanit për hetime të mëtejshme”, thuhet në deklaratën e Selisë së Shenjtë.

Skandali i publikimit të dokumentave sekrete të Vatikanit shpërtheu pas publikimit të librit “Shenjtëria e tij. Letrat sekrete të Benediktit XVI”, (Sua Santita. Le Carte Segrete di Benedetto XVI) me autor Gianluigi Nuzzi ku pasqyroheshin disa nga letërkëmbimet tepër sekrete të Papës Benedikti XVI.

Botimi shkaktoi reagimin e menjëhershëm të Vatikanit që paralajmëroi një hetim të thellë, ku mund të përfshiheshin edhe autoritetet italiane si dhe ato ndërkombëtare.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›