E Diel, 1 Nëntor 2026

“Vazhdo, por ki kujdes! Nesër edhe më shumë”- Studentët që protestojnë, mesazhe inkurajuese nga prindërit! Të rinjtë: Rama, nuk është lloji i kryeministrit që brezi ynë do

Studentët që janë bërë pjesë e protestave për largimin e kryeministrit Edi Rama shprehen të vendosur për të vijuar qëndrimin e tyre, ndërsa thonë se kanë mbështetjen e prindërve për të protestuar dhe për të kërkuar ndryshim në Shqipëri.

studentet negociatat rama

Të pyetur se çfarë u thonë prindërit për pjesëmarrjen në protestë, studentët tregojnë se mesazhet që marrin prej tyre janë inkurajuese.

“Bravo”, “Vazhdo”, “Vazhdo, jepi, por ki kujdes” dhe “Nesër edhe më shumë”, janë disa nga mesazhet që ata thanë se marrin nga familjarët.

Përtej mbështetjes familjare, studentët shpalosën edhe arsyet që i kanë nxitur të dalin në protestë. Ata kërkojnë ndryshim politik, një shtet me dinjitet dhe më shumë demokraci, duke e konsideruar dorëheqjen e kryeministrit si kërkesën e tyre kryesore.

“Protestoj sepse dua një shtet me dinjitet. Unë dua të shikoj një ndryshim në Shqipëri”, u shpreh një prej studenteve i ftuar në emisionin Opinion.

Një tjetër studente kritikoi qeverisjen e gjatë të Edi Ramës, duke theksuar se integrimi europian nuk duhet të lidhet me qëndrimin e një individi në pushtet.

“Unë do të doja një Shqipëri më demokratike. Ky kryeministri ynë është më jetëgjatë në BE. BE-ja nuk është pasaporta e Edi Ramës apo personalizimi i Edi Ramës. Nëse është kusht që ne të hyjmë në BE vetëm që Rama të jetë kryeministër, unë, por edhe studentët e tjerë, preferojmë të mos hyjmë në BE”, deklaroi studenti Ardit Minarolli.

Studentët shprehën gjithashtu skepticizëm për mundësinë e dialogut me kryeministrin, duke iu referuar edhe protestave të vitit 2018.

“Ne kërkojmë dorëheqjen. Nuk kemi çfarë të negociojmë. Ai është një kryeministër që kërcënon, është arrogant. Nuk është lloji i kryeministrit që brezi jonë do”, u shpreh një prej studenteve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›