E Diel, 1 Nëntor 2026

Vazhdojnë të përgjaken rrugët, tre viktima brenda 24 orësh

DURRES-AKSIDENTI-MBULIM-27_Nëse dikush do shihte lajmet për aksidentet në rrugët e Shqipërisë, do mendohet se ky është një shtet sa Rusia. Në fakt është një cep i vogël në Ballkan, ku jetojnë më pak se 3 milion banorë, po ku aksidentet sjellin shifra lufte.

Mëngjesin e sotëm një e moshuar humbi jetën pasi u përplas nga një makinë në Sukth, pak kilometra larg Durrësit.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Sukth-Manëz ku makina me targa AA 450 CC ka përplasur për vdekje 60-vjeçaren Lule Nika.

Përplasja ka qenë fatale për 60-vjeçaren, e cila ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa mësohet se janë plagosur edhe drejtuesja e mjetit, 23 vjeçarja Valbona Lokaj si dhe një pasagjer, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur.

Ndërkohë një ditë më parë një aksident i rëndë u shënua në Rrugën e Kombit, pikërisht në Kolsh, aty ku janë shënuar edhe disa aksidente të tjera fatale.

Aksidenti ka ndodhur në një kthesë të fortë të rrugës ku automjeti ka dalë nga rruga duke përfunduar në një humnerë. Sipas burimeve të policisë bëhet e ditur se ka një person të vdekur, konkretisht Edison Ollomani, vjeç 22, dhe një të plagosur, Abedin Lleshi.

Një tjetër aksident ka ndodhur dje në mbrëmje në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, ku një person u përplas për vdekje nga një automjet.

Mësohet se viktima është shtetasi Bashkim Shahini, i cili është përplasur nga një makinë në afërsi të fshatit Mabë./ep

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›