Vdekja e 37-vjeçares shtatzënë, Ministria e Shëndetësisë: Do të verifikohet i gjithë trajtimi, nëse ka shkelje do të merren masa

TIRANË, 31 gusht/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale reagoi sot pas vdekjes së 37-vjeçares shtatzënë nga Pogradeci.
Përmes një njoftimi për shtyp, MSHMS pas humbjes së jetës së shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta.
Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS shprehet se po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria konfirmon se ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit.
“Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
MSHMS thekson se siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrik në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor.
/m.m/r.e/