E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Bejkos, Meta: Dialogu e shmangte ngjarjen e rëndë

Kreu i LSI-së, Ilir Meta kërkon nga kreu i shtetit, Bujar Nishani, që mos ta përjashtojë opozitën gjatë procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit të ri. I ftuar mbrëmë në emisionin "Tonight" të gaze-tares, Ilva Tare në Ora News, z.Meta foli për mesazhet që Sekretarja Amerikane e Shtetit, Klinton i la politikës shqiptare, duke shprehur besimin se kryesocialisti Rama do të dijë të përfitojë nga ky takim. Kreu i LSI-së komentoi edhe çështjen e ish-të përndjekurve politikë, duke shprehur keqardhje për vdekjen tragjike, sipas tij, të Lirak Bejkos.
Z.Meta, sot ka vdekur njëri nga ish-të përndjekurit, ndërkohë që ju keni kërkuar dialog me qeverinë për zgjidhjen e problemeve të tyre. A ishte normale që qeveria nuk negocioi?
Është një ngjarje tepër tragjike dhe e dhimbshme, humbja e jetës së z.Bejko. Po kështu ishin mjaft tronditëse edhe zhvillimet e tjera gjatë grevës së urisë. Duke shprehur ngushëllime për familjarët dhe shokët e tij për këtë humbje të parakohshme, bashkohem me qëndrimin e ambasadorit Sequi dhe është për të ardhur keq që kemi një pasojë të tillë. Në rast se politika do të kishte qenë më e përgjegjshme dhe konstruktive, nuk do të kishim precedentë të tillë me pasoja të rënda. Nuk jam këtu për të bërë gjykatësin, por dua të përmend se të dyja palët i janë referuar ligjit, edhe të përndjekurit, por edhe qeveria që ka zbatuar ligjin. Ndaj ne kemi kërkuar që të kërkohej një mekanizëm për të verifikuar zbatimin e ligjit. Por për të fat të keq kemi një situatë imponuese politikisht, që pati indicio nga opozita, që ka qenë publike, ndërkohë që ligji nuk ka qenë kaq i lehtë për t'u zbatuar. Këtu i referohem takimit të z.Rama me gratë, të cilat kishte shkuar natën për t'i takuar. Pra nëse do të kishim pasur një qëndrim realist të palëve politike, do të kishim një situatë krejt tjetër.
Kryeministri e mohoi mundësinë për dialog, me argumentin se ishte politike; po për Bejkon që vrau veten, kush mban përgjegjësi për të?
Përgjegjësi do të mbajnë të gjithë, pavarësisht nga rëndësia e informacionit. Por shpeshherë duke qenë njerëz të tillë që kanë kaluar situata jo të mira krize, mund të shkojnë në veprime të tilla që janë me pasoja të rënda. Të gjithë duhet të bëjmë më shumë për të vendosur një klimë për t'i zgjidhur çështjet me dialog, ndaj mendoj se kjo tragjedi është një ngjarje shumë e rëndë, për të ndikuar tek të gjithë, edhe tek kreu i opozitës dhe medias për të vepruar me përgjegjësi.
Por do t'i referohem deklaratës së znj.Klinton për forcimin e institucioneve dhe se ne qytetarët janë ata që mbajnë në këmbë politikën…
Edhe kur jemi në opozitë, edhe kur jemi në qeveri, duhet të jemi realistë, sepse sot është shumë e lehtë t'u thuash ushtarakëve se ju takon e drejta dhe shkoni dhe futuni në grevë apo minatorëve dhe gjithë shtresave të shoqërisë. Por ne jemi politikanë dhe mos të harrojmë se çfarë po ndodh në Greqi e kudo tjetër, dhe që duhen përballuar faturat e qytetarëve. Ndaj duhet të jemi të përgjegjshëm dhe nuk është momenti për të menduar për fitime elektorale, pasi mund të ketë zhvillime të papritura në çdo kohë dhe askush nuk duhet të mendojë për momente fitimi elektorale. Ndaj dialogu duhet të vazhdojë.
Ju folët për prishje të ekuilibrave, por Klinton u shpreh se muajt që vijnë janë kritikë. Si e shikoni këtë apel?
Kur flasim për muaj kritikë flasim për muaj të rëndësishëm. P.sh muaji dhjetor është i tillë, pasi bëhet fjalë për statusin e vendit kandidat, por duhet menduar se si është më e mira për vendin. Janë zgjedhjet e vitit që vjen dhe bërja e tyre sipas standardeve evropiane do të jetë shumë e rëndësishme për hapjen e negociatave për në BE.
Aleanca Kuq e Zi ka paralajmëruar se do të vihet në krye të një revolte popullore pas vdekjes së ish-të përndjekurit politik?
Pa asnjë dyshim që është për fitime politike. Njerëz që nxisin një frymë të tillë, veçse tallen dhe e bëjnë vetëm për përfitimet e tyre. Ata kanë pasur pozita të larta në shtet dhe mund të kishin ndikuar në shtet për t'i zgjidhur kërkesat e ish-të përndjekurve apo raste të tjera, por bëhet vetëm për qëllime përfituese. Kjo lloj gjuhe është keqpërdorje politike.
Ju, do i kërkoni mazhora-ncës diçka konkrete për çështjen e ish-të përndjekurve?
Nuk jam këtu për të përfaqësuar dikë, por për t'iu përgjigjur pyetjeve tuaja dhe për t'u bërë apel të tjerëve për përmbajtje dhe të heqin dorë nga përdorimi i kësaj shtrese që është me shumë probleme dhe strese.
Si u ndjetë kur 22 vite pas rrëzimit të diktaturës, Sekretarja e Shtetit Amerikan bën thirrje për zgjedhje të lira dhe të barabarta?
Nuk mendoj që mesazhi që dha znj.Klinton, tregon që zgjedhjet në Shqipëri janë të atyre standardeve që i bëjnë kritike. Dhe është një kënaqësi për mua që këtu t'ju bëj të ditur transparencën e zgjedhjeve brenda në LSI. Çështja e zgjedhjeve është çështje vullneti. Problemi është mes dy partive, PD-së dhe PS, të cilat kanë qenë në pushtet dhe kanë dashur ta monopolizojnë gjithçka, dhe rasti është dhe Kodi zgjedhor. Problemi më i madh në Shqipëri ka ardhur nga mungesa e kulturës.
Ju bëri përshtypje takimi Rama-Klinton?
Më duket mëse normale për aq kohë sa kryetari i opozitës nuk është anëtar i Parlamentit. Më vjen shumë mirë dhe shpresoj që z.Rama të ketë përfituar nga ky takim.
Klinton foli për pavarësinë e institucioneve, por a besoni se nënkuptoi Prokurorinë?
Nuk kam arsye ta lidh me të, pasi ne i zvogëlojmë mesazhet. Pavarësia e institucioneve vjen nga një eksperiencë e gjatë amerikane dhe e kanë kulturë të cilën e përcjellin në të gjithë botën, në vende shumë më të zhvilluara se sa Shqipëria, pasi zhvillimi i tyre është garancia më e mirë për të gjithë qytetarët.
Aktualisht si është gjendja?
Është ajo gjendje që, duhet punuar në këtë drejtim.
Presidenti ka lajmëruar nisjen e procedurave së shpejti për zgjedhjen e prokurorit të ri?
Nuk mund të bëj komente mbi komente. Por në këtë drejtim them se kompetencën ia jep Presidentit. Pra kjo iniciativë është ekskluzive e z.Nishani dhe sipas konsultimeve e ndërmerr këtë proces në atë kohë që e shikon të mundshme, gjithnjë sipas Kushtetutës.
A keni biseduar me z.Berisha për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri?
Nuk kam folur asnjëherë, as me Kryeministrin dhe as me Presidentin, dhe as kam ndërmend të flas me Kryeministrin për këtë çështje. Ne në kohën e duhur do të bëjmë vlerësimin tonë. Unë mendoj se duhet një figurë me integritet për kryeprokurorin e ri. Nuk besoj që Shqipëria nuk ka njerëz me integritet. Për mua Presidenti Mejdani pavarësisht se ka qenë nga PS-ja, ka qenë një njeri me shumë integritet, që nuk është përzier në punët e drejtësisë, ashtu siç ka reaguar kur është gjykuar një gjë e tillë. Ka prokurorë dhe gjyqtarë me integritet. Por këta duhen kërkuar, dhe normalisht duhet të ketë disa kritere për të shkuar tek një emër, por nuk na takon ne si LSI kjo gjë, por Presidentit.
Besoni tek zgjedhja e Presidentit?
Mendoj se presidenti ka të drejtat të konsultohet për datën e zgjedhjeve, nuk do të bënte keq të konsultohej edhe për emrat e gjithë institucioneve të tjera. Madje duhet të konsultohet edhe me opozitën, të bashkëpunojë me të, pavarësisht se nuk e ka votuar. Por nuk merret LSI me këtë çështje.
Është marrë z.Manjani…
Ka qenë mendimi i tij personal.
Ka folur në emër të LSI-së…
Në emër të LSI-së flas unë dhe kur ka vendime të forumeve të partisë. Por ajo që mua nuk më pëlqen në gjithë debatin për kryeprokurorin është politizimi i institucionit. Këto janë institucione të shtetit dhe duhet të kujtojmë se kjo kryeprokurore është zgjedhur nga kjo mazhora-ncë.
Mund të jetë kushtetuese që kryeprokurori të zgjidhet nga mazhoranca, por a është morale që të gjitha pushtetet të kalojnë nga një mazhorancë?
Mendoni se do të ishte e moralshme që kryeprokurori të zgjidhej nga opozita dhe kryeprokurori të ndjehej si i pakicës? Zgjedhjen e bën të qartë Kushtetuta.
Ju nuk keni dijeni se kush do të jetë kryeprokurori i ri?
Unë nuk jam në dijeni. Prokurorin e ri e zgjedh Presidenti dhe Parlamenti, ku bën pjesë dhe opozita.
Pse mungon bashkëpunimi mes palëve për të luftuar korrupsionin, ashtu siç kërkoi dhe sekretarja Klinton?
Pyetja është shumë e drejtë. Pse nuk po miratohen tre ligjet e mbetura? Ndërkohë që del një problem që nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë çështje. Kjo do të thotë që duhet të thellohemi në deklaratën e znj.Klinton për bashkëpunimin e palëve.
Ku do festoni 28 nëntorin, ka pasur një ndarje mes Vlorës dhe Tiranës, ku do jeni?
Me 28 nëntor do jemi në Vlorë, ka qenë dhe është në Vlorë, Është në Tiranë, Shkodër dhe kudo ku ka shqiptarë. Do shkoj më 27. Nuk e di axhendën e zotit Rama. Nuk e di saktësisht as axhendën e qeverisë por me 28 nëntor kryeqytet i Shqipërisë është Vlora. Nëse do kemi kohë do jemi dhe në Tiranë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›