Vdekja e Kekës, familjarët refuzojnë bashkëpunimin me policinë

Familjarët e Aleksadër Kekës kanë refuzuar për dy ditë të bashkëpunojnë me grupin hetimor të angazhuar për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së kryetarit të PDK-së për Malësinë e Madhe. Familjarët e të ndjerit e kanë marrë këtë vendim në shenjë proteste ndaj deklaratës së Policisë së Shtetit për të kaluarën e 34 vjeçarit. Sipas familjes, deklarata e Policisë sipas të cilës 34 vjeçari me precedentë ishte një ofendim për ta dhe të ndjerin. Ndërkohë, mësohet se hetimet i kanë kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë, të cilët po bashkëpunojnë me hetuesit e Shkodrës. Por ende nuk dihet nëse grupi i hetimit i krimeve të Rënda ka vendosur kontaktet me familjen. Ndërkohë, sipas burimeve nga policia e Shkodrës, edhe pse dy ditë nga ngjarja, ende nuk ka asnjë pistë konkrete për shkaqet e vërteta të vdekjes së Aleksandër Kekës. Grupi hetimor që po heton ngjarjen, është shumë i rezervuar, por mësohet se për ngjarjen janë shoqëruar në polici të paktën 20 persona, ndërsa janë pyetur mbi 35 të tjerë. Të shoqëruarit janë persona të cilit, kanë patur kontakt me 34 vjeçarin ditët e ose orët e fundit të jetës. Burime pranë grupit hetimor konfirmojnë se është vërtetuar se shpëthimi në automjetin me të cilin udhëtonte Aleksandër Keka është shkaktuar nga 100 gramë eksploziv C4, i cili ka qenë i vendosur në brendësi të automjetit. Ekplozivi ka qenë e vendosur poshtë njërës prej sediljeve të makinës, ndërsa forca plasëse ka qene e orientuar drejt tokës. Ndërsa një tjetër fakt i konfirmuar është aktivizimi i lëndës plasëse nga largësia me anë të një celulari. Aleksadër Keka humbi jetën paraditen e së enjtes teksa udhëtonte në aksin Koplik Shkodër.