Paniku çon njerëzit e Edvinit në veprime që rrezikojnë zgjedhjet e 28 qershorit

Sondazhet e kanë sqaruar përfundimisht fituesin e vërtetë të zgjedhjeve të 28 qershorit, por kjo ka shtyrë Edvinin të lëshojë urdhëresa që shkatërrojnë procesin zgjedhor, por edhe sjellin ndjekje penale për kryebashkiakët e PS-së. Ndryshimi i vendndodhjes së qendrave të votimit nuk do të tolerohet nga KQZ-ja, por kryebashkiakët e Edvinit kanë vetëm pak kohë në dispozicion, që t’i kthejnë qendrat në vendndodhjet fillestare, atje ku edhe njerëzit janë mësuar të paraqiten ditën e votimit
Njësitë vendore të udhëhequra nga të zgjedhurit e PS-së, po ndryshojnë vendodhjet e qendrave të votimit, pa vënë në dijeni KQZ-ën, dhe duke shkaktuar jo pak probleme në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit.
Përballë një situate të tillë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bërë apel dje drejtuesve vendorë që të respektojnë udhëzimet e KQZ-së për vendndodhjen dhe numrin e qendrave të Votimit, pasi çdo ndryshim rrezikon të çojë në kolaps gjithë procesin zgjedhor. Zëdhënësi i KQZ-së, Leonard Olli, gjatë një konference për shtyp, ka përcjellë shqetësimin e KQZ-së për papërgjegjshmërinë dhe neglizhencën totale të një pjese të madhe e drejtuesve vendorë lidhur me çështjen e përcaktimit të saktë të qendrave të votimit. “Megjithë thirrjet e njëpasnjëshme dhe masat administrative të herë pas hershme që ne kemi marrë ndaj tyre, ky problem ka vazhduar dhe po kthehet në një gangrenë të vërtetë dhe rrezikon në këto moment të shkaktojë një kolaps të vërtetë sa i takon ditës së zgjedhjeve”, tha zëdhënësi Olli. Sipas tij, shumë nga drejtuesit vendorë, kanë shkelur detyrimet e Kodit Zgjedhor, duke ndërmarrë hapa për të ndryshuar vendndodhjen e Qendrave të Votimit, por ajo që përbën shqetësimin më të madh është bashkimi i disa Qendrave të Votimit, ose ndarja e tyre. Zëdhënësi Olli sqaroi se “një problematikë e tillë rrezikon që votues të ndryshëm të shkojnë në QV inekzistente”. Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Leonard Olli, “Ky problem i jashtëzakonshëm kërkon një përgjegjshmëri shumë të madhe nga drejtuesit vendorë. Ata duhet të heqin dorë nga çdo iniciativë personale dhe të zbatojnë me rigorozitet të gjithë materialin e dërguar nga KQZ në raport me QV-të, me numrin e vendndodhjen e tyre”, tha Olli. Në të gjithë Republikën, aktualisht, janë rreth 44 QV të cilat kanë ndryshime në raport me parashikimet e kryera nga drejtoritë e KQZ-së.
...