Vdekja është një pemë plot me këngë

Alda Merini
Elsa Demo
Alda Merini ia kushtonte La carne degli angeli, kujtimit të dom Maurizio Bidoglio-s, për vdekjen e tij të pamerituar në emër të fesë dhe poezisë. Mishi i engjëjve që ka ardhur në shqip bazuar në botimin vitit 2003, është kre e fund tematizim i fesë por jo në kuptimin fetar.
Engjëlli, që është figura qendrore e këtij libri, bart një kuptim të ndërmjetëm midis fetarisë dhe jofetarisë.
Fetar e bën besimi, pranimi që kjo figurë ekziston, madje ekziston e fortë si një obsesion. Jofetar e bën një identifikim si ky: Engjëjt, ky libër i naltësimeve të mbrendshme, kjo paqe e landës, ky kalim i Zotit sipër nesh… ky gjumë i mençur dhe shumë aktiv, kjo dinamikë e brendshme, ky psaltir. Engjëlli që ekziston te njeriu në formën e një libri, është pohim i Zotit brenda nesh. Kjo i bën engjëjt e Merinit jo të ajrit biblik, jo të Lajmit të Mirë për barrën e shenjtë të Marisë, por të mishit njerëzor:
…asnjeni nuk e din se engjëlli
Ka të njejten landë si na.
Por sapo ti ke dalë te ky përfundim, Merini nuk lë të rrish në vend. Ajo e krijon vazhdimësinë e interpretimeve të saj nëpërmjet shkatërrimit të përfundimeve. Shkatërrim të thuash nuk është e saktë. Është kundërvënie e vazhdueshme që provokojnë të panjohurat ato që arsyeja e shëndoshë i anatemon e iu dredhon:
Krijimi i Parajsës ishte përralla e një dashnie të panjohur, e cila në njifarë pike zhburgoi krahët nga korja e tokësore, dhe kështu, tue u ftohë toka, u shfaqën përtej besimeve biblike, fluturimet e para të engjëjve.
E gjejmë me interes të bëjmë një parantezë këtu, duke përdorur një shënim autobiografik të Alda Merinit, për të treguar se kundërvëniet, paradokset për përvojat e panjohura e të huaja për arsyen e shëndoshë, ajo i ngre nisur nga një plan që e njeh mirë, feja, apo përfytyrimi biblik i botës dhe njeriut, si një vetëdije kolektive: Shkoja në orator, kam qenë vajzë për së mbari unë. Jam shumë katolike, famullia ime në Milano ishte Shën Vinçensi në Prato. Ndihem katolike dhe thellësisht moraliste, në kuptimin që jam një njeri serioz i rritur nga prindër shumë seriozë, të rëndë dhe pedantë kur është fjala për moral. Nuk di ta them në besoj në Zot, besoj në diçka që besoj se më ka krijuar një Zot mizor, nuk tregon kjo që je katolik? Pse, nuk është i tillë Zoti? Të gjithë e kemi një Zot, një idhull, por atë Perëndinë e veçantë që ka krijuar male, lumenj dhe pyje që përfytyrohet i vetëm me mjekër, plak, i keq pak, një Zot i pamëshirshëm që ka krijuar njerëz të shfytyruar e pa fat. Besoj mizorinë e Zotit. Nuk besoj që të jenë blasfemi këto, kisha nuk më ka mallkuar kurrë. Përkundrazi, Magnificat-i im është lëvduar, sepse kam prezantuar një Madonë të thjeshtë, sikurse ishte ajo vërtet përballë mahnitjes prej Lajmërimit, që thellë në vete nuk e pranon ngaqë ajo ka Shën Jozefin.
Jeta e Alda Merinit, nëna e katër vajzave, e lidhur në martesë me një njeri që ajo i thur himn në vargjet e saj po edhe e pranon që ishte burimi i depresioneve të saj, kaloi një periudhë të gjatë hyrje-dalje në psikiatrinë e Milanos. E që nga trauma e parë ajo nuk do ta frekuentojë më kishën.
Pse duhej gjithë kjo parantezë për Engjëjt? Sepse vetëm një sferë që njihet mund të kundërshtohet, e prej kundërvënieve mund të krijosh domethënie të fshehta. Edhe sepse struktura poetike nuk është një kuti principesh të artit të të shkruarit që mund të mbushet me figura letrare. Poezia ekziston, së pari, te çdo njeri si gjuhë e pashprehur, si një libër i lartësive të brendshme, siç thotë më lart Alda Merini, që e kanë të gjithë me vete.
Rasti i Merinit, njohja e këtij rasti, imponon jo një vajtje-ardhje të thjeshtë nga poezia te biografia, por nga forma e poetikës së saj te akti i krijimit, si akt që vjen prej vetes, prej arsyes po edhe çmendurisë.
Përfytyrimi i një Zoti kryelartë që e ngre lart, e ndëshkon dhe e shfaros subjektin e tij, përfytyrim i përsëritur te Mishi i engjëjve, është mjaft kompleks. Komunikimi me këtë figurë krenare autoritare kalon përmes demonit të mëshirës:
Engjëlli që bahet demon,
demoni që bahet engjëll
e keqja e errtë,
frika e së keqes
bahen ferri i gjallë i mendjes.
Në këtë gjendje, uni poetik beson se dëgjohet një regëtimë hyjnore, një rilindje e pamundur; në këtë gjendje lind një gjuhë që nuk e njeh asnjë e për të cilën nuk do të flasë askush. As të përulurit e të heshturit që edhe tue vuejtë prapëseprapë nuk munden me vdekë:
Po çka asht vdekja
përveçse nji pemë e madhe plot me kangë?
Në rrënjën e antonimive të tilla qëndron jo vetëm gjendja njerëzore si një e panjohur konstante, po edhe si një përvojë e absurdit. Kjo skizmë e bën njeriun endacak në dy realitete, në dy botë, në dy mendje, endacak në ndërgjendje, as njerëzore as hyjnore: kjo është gjendja ku njeriu ndien afër ferrin e tij, thotë Merini. Në një gjendje të tillë subjekti nuk arrin të identifikojë veten:
Fytyra jote asht nji fole ajri
përmes së cilës unë gjej asgjanë time
Me një mori vargjesh në prozë që kanë natyrën e aforizmit (Asnji njeri, nëse nuk ka vuejtë shumë, smundet me shqiptue emnin e Zotit), nuk do të thotë se familjarizohesh lehtë. Identifikimi i realiteteve te tekstet e Alda Merinit është një mundim që kërkon kuptimin e shtegut të vuajtjes së saj, që nuk do të thotë aspak se vargu i saj është çështje përjetimi e përvujtnisë po as edhe e dijes kulturore.
Mishi i engjëjve (Pika pa sipërfaqe, Tiranë, 2012) është libri i parë i plotë që vjen në shqipe. Ka pasur ndonjëherë nga Merini përkthime në periodikët letrarë. Ky përkthim vjen në gegërisht nga Lisandri Kola. Nëse është pikërisht gegërishtja që i duhet poezisë së Merinit, duket një zgjedhje që nuk përligjet në krejt vëllimin. Paçka se përkthyesi ka arsye të jetë kryelartë duke i vënë përbri çdo teksti origjinalin italisht.
Nga Mishi i engjëjve
Do kisha dashtë që ti të ktheheshe mbrapsht, të ktheheshe mbrapsht aty ku unë e ti kemi fillue me qeshë, me qeshë të lumtun për dashninë tonë, për me vdekë mandej, për me vdekë nga braktisja e verbët.
Pse burri i humb bebëzat e tij?
Pse burri i humb sytë e tij?
Pse nuk e sheh ma të dashtunën?
Pse nuk e ngjyros ma me ndjenjat e tij?
Shihem në pasqyrë dhe dukem e fishkun dhe e mpime si nji bretkosë që kuak kot në nji baltinë të pafund.
Më ke sjellë rishtas në jetë, mue që fluturoja aq nalt për me i këndue nji magnificat Marisë.
Ka thënë
Më duan shumë, si të gjithë duhet bërë tepër kujdes që fanatizmi të mos ngatërrohet me dashurinë. Dëshiroj të them që nuk ekziston poeti por figura njerëzore e poetit. Unë besoj se kam dhënë shumë më tepër në planin njerëzor sesa për poezinë.
Unë jetën e kam shijuar të tërën, përkundër asaj që po thonë për çmendinën. Unë e kam gëzuar jetën sepse edhe ferri i jetës më pëlqen dhe jeta shpesh ferr është për mua jeta ka qenë e bukur sepse e kam paguar shtrenjtë.
Biografi
Alda Merini (1931-2009) u lind dhe ndërroi jetë në Milano. Aty u formua bota e saj religjioze, praktikante e përkushtuar në kishë deri në vitet e para të martesës. Nënë e katër vajzave, Merini lidhi martesë shumëvjeçare me Ettore Carnitin, që nuk i kishte asfare interesat e saj letrare. Ajo boton që në m