E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimi Rama-Berisha: As emra dhe as konsensus

Një takim që nuk solli frytin e kërkuar, arritjen e një marrëveshjeje për Presidentin konsensual. Kështu mund të përmblidhet ai i mbrëmshmi mes dy krerëve të politikës, Edi Rama dhe Sali Berisha. I pari u paraqit në takim Astrit Patozi, kreu i Grupit parlamentar të PD-së dhe më pas Kryetari i PS-së, Edi Rama, i shoqëruar nga Gramoz Ruçi. Dy minuta më vonë u paraqit në takim Kryeministri Berisha. Takimi ishte njoftuar të niste në orën 20:30 . Fotografët fokusuan vetëm krerët të ulur dyshe, Rama-Ruçi dhe Berisha-Patozi në një tryezë përballë njëri-tjetrit. Ishte përballja e parë mes dy liderëve, një takim i shumëpërfolur dhe gati i paimagjinushshëm sidomos pas ngjarjeve të 21 janarit të vitit të kaluar. Gjithçka e zhvilluar pa praninë e gazetarëve përfundoi rreth orës 22:00 dhe zgjati 1 orë e 20 minuta. Kryetari i PS-së Rama dhe deklaraën e parë pas takimit përmes së cilës komunikoi atë çfarë ishte diskutuar. ‘PS nuk mund të hyjë në një garë emrash, por duhet të bihet dakord për një president të unitetit kombëtar’. Lidhur me kandidaturën Zaganjorit edhe dje, përfaqësuesit socialistë i kanë shprehur Berishës mosaprovimin. Nga ana e vet, kryeministri Berisha u deklarua i palëkundur nga respektimi i Kushtetutës dhe 3 raundeve që ajo përcakton për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Berisha

Pas takimit, kryeministri Sali Berisha apeloi që edhe opozita të bëjë hapat e saj për zgjedhjen e një presidenti konsensual. Në këtë takim shpreh qëndrimin dhe vendosmërinë e mazhorancës për një përpjekje, për një zgjidhje konsensuale të këtij problemi ashtu siç përcakton Kushtetuta e cila në frymë e përcakton këtë zgjidhje si zgjidhjen kushtetuese të 3 raundeve të para. U bë një shkëmbim, do të thosha, i hapur i mendimeve dhe pikëpamjeve për procesin, ju tashmë e dini që mazhoranca ka bërë hapat e veta, ka bërë tërheqjet e veta, ka bërë paraqitjen, nga një fushë jashtë interesave të ngushta partiake, duke u dhënë përparësi përpjekjes serioze për një zgjidhje konesnsueale me opozitën ne besojmë, mendojmë që edhe opozita do bëjë hapat e saj. Unë nuk them se ne erdhëm këtu me një rezultat konkret. Jo, por u shprehën qëndrimet, pozicionet, u dhanë modalitetet për dhënien e përpjekjeve për konsensualitet dhe kjo ishte e tëra ajo çka u diskutua në këtë takim-tha kryeministri.
Rama

Nga ana e vet, kryetari i PS-së ka qenë më i optimist duke vlerësuar klimën e krijuar. “Patëm një shkëmbim të hapur të këndvështrimeve. Ne jemi shumë të vendosur që të bëjmë gjithçka që është në dorën tonë për ti dhënë Shqipërisë, presidentin që meritojnë, një president me votat e qeverisë dhe opozitës. Shkruam vijën tonë të qasjes dhe garantuam se qëllimi ynë është që ta zgjidhim këtë çështje me dakortësi. Nuk kemi pushtet, por vetëm dëshirën e mirë dhe vullnetin e palëkundur që të kontribuojmë të jemi bashkë autorë dhe bashkëpërgjegjës që parlamenti duhet të bëjë.  Për sot nuk ka asnjë zhvillim në drejtim të një rezultati konkret, por besoj se ka një bazë për të vazhduar me qetësi me respekt reciprok dhe me bindjen se kjo lëvizje duhet zgjidhur dhe se raundet, nuk janë aty për tu konsumuar njëri-pas tjetrit vetëm duke folur dhe komunikuar, por janë aty që nesër për të bashkuar qeverinë dhe opozitën në një zgjedhje konsensuale. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë gjithë përpjekjet tona se ne nuk duam një president të PS, nuk duam të vendosim njëanshmërisht apo të impononim me çdo mënyrë, por duam që të kontribuojë dhe ishte që qeveria duhet të japë mundësinë që të kontribuojmë. Ne nuk mund të hyjmë në një garë, por duam të biem në dakordësi që të zgjedhim një president për Shqipërinë”.

PS-ja kundër kandidatit Zaganjori
I pyetur nga gazetarët, në lidhje me kandidaturën e Zaganjorit, Rama ripërsëriti kundërshtimin e vet. “Ne nuk duam një president të PS-së, nuk duam të vendosim njëanshmërisht apo të imponohemi por duam të kontribuojmë. Qeveria duhet të na japë mundësinë që të kontribuojmë. Ne duhet të biem dakord që kemi detyrimin për ti dhënë Shqipërisë Presidentin e unitetit kombëtar.  Në lidhje me kandidaturën e paraqitur nga qeveria përsëritëm qëndrimin e njohur publikisht. Pika e takimit me opozitën nuk mund të ndodhë mbi emrin e kandidatit të paraqitur njëanshmërisht. Kandidatura e Zaganjorit e bën të pamundur bashkëpunimin tonë. Ne qëndrojmë në pozicionin parimor që nuk mund të hyjmë në një garë emrash pa përcaktuar vullnetin për ta zgjidhur me konsensus këtë çështje”, tha kryesocialisti.

Sot raundi i dytë për Presidentin e ri

Sot Parlamenti zhvillon raundin e dytë për zgjedhjen e Presidentit të ri të vendit. Ndonëse palët nuk kanë arritur një konsensus për emrin, sërish raundi konsumohet si i tillë, pavarësisht palët do të paraqesin ose jo kandidat për votim. Fakt është se në ndryshim nga raundi i parë, kur kryeministri paralajmëroi pezullim të votimit nëse nuk arrihej konsensusi, dje një qëndrim i tillë nuk është përsëritur. Gjithsesi deri në fillimin e seancës plenare, palët kanë kohë të konsumojnë negociata të reja, qoftë edhe përmes përfaqësuesve të njohur Patozi-Ruçi. Nëse demokratët do të hedhin sërish në tryezë apo qoftë edhe në seancë emrin e Xhezair Zaganjorit, atëherë raundi i sotshëm do imitojë raundin e parë, me ndryshimin e vetëm, se ai do të zhbënte edhe atë pak që është arritur dje në mbrëmje. Gjithsesi opozita vjen me një tjetër pozitë negociuese, ndonëse apeli i kryeministrit pas takimit ishte për një tërheqje edhe nga ana e saj. Zaganjori duket se ka rënë përfundimisht, vetëm nëse demokratët do të konservojnë emrin e tij deri për një raund të katërt. Nëse kjo ndodh, sot raundi i dytë thjesht konsumohet për të fshirë komunikimin mes palëve, por edhe për të kuptuar më mirë se deri ku shkon cedimi i shumicës në funksion të konsensusit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›