E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes Laszlo Csatari, krimineli nazist më i kërkuar në botë

BUDAPEST - I dyshuari për krime lufte në kohën e nazizmit, Laszlo Csatary vdiq në moshën 98-vjeçare, njoftoi e përditshmja hungareze "Bors" duke cituar burime anonime.
"Avokati i Csataryt, Gabor B. Horvath e konfirmoi gjithashtu këtë informacion", citon e përditshmja.

Sipas së përditshmes "Bors", Csatary trajtohej në spital prej një periudhe të gjatë dhe kohët e fundit ishte prekur nga pneumonia, që shkaktoi vdekjen e tij.

Csatary, i cili dyshohet për përfshirje në deportimin e mijëra hebrenjve në kampet naziste, renditet si një prej më të kërkuarve në listën e qendrës "Simon Wiesenthal" përsa i përket të dyshuarve për krime lufte.

Thuhet se Csatary, në pozicionin e komandantit të policisë në një kamp internimi dhunonte rregullisht të internuarit hebrenj, pa dallim seksi, moshe apo gjendjeje shëndetësore.

Në fillim të majit të vitit 1944, rreth 12 000 të internuar hebrenj u dërguan me tren drejt kampeve naziste të përqendrimit, kryesisht në Auschwitz, ngjarje në të cilën mendohet se Csatary është përfshirë aktivisht.

Csatary u gjykua në mungesë dhe u dënua me vdekje në vitin 1948. Ai jetoi në arrati për disa dekada. Korrikun e vitit të shkuar ai u dënua me arrest shtëpie nga autoritetet hungareze. Edhe pse u mor disa herë në pyetje në prokurori, ai mohoi vazhdimisht të gjitha akuzat.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›