Vdes gara edhe në Kategorinë I
Pas Kategorisë Superiore, gara sportive ka “vdekur” edhe në Kategorinë I. Java e 28-të e luajtur dje, ka rezervuar tolerimin e hapur të Bylisit (matematikisht kampion) ndaj Kamzës, në fushën e këtyre të fundit. Ballshiotët janë paraqitur me kontingjent të përgjysmuar në këtë sfidë, ndërsa lejuan Kamzën të shënonte katër herë në portën e tyre. Në këmbim, vendasit e drejtuar nga Perlat Musta nuk bënë shumë rezistencë gjatë tentativave të Romeo Hamzait, i cili lufton për çmimin e golashënuesit më të mirë dhe arriti të realizonte dy gola. Me këtë fitore, Kamza ruan vendin e tretë (zona “play out”), me 56 pikë, po aq sa edhe Elbasani i vendit të dytë, që fitoi lehtësisht 3-0 me Luftëtarin. Fitore kanë regjistruar edhe Lushnja dhe Partizani, skuadrat që luftojnë për vendin e fundit në zonën “play out”. “Lagunarët” shkatërruan 5-0 Sopotin, që zbret një kategori më poshtë, ndërsa lëshim të dukshëm kishte edhe në sfidën që Partizani fitoi me rezultatin 3-2 në Gramsh, me tifozët vendas që braktisën shkallët e stadiumit shumë kohë përpara fërshëllimës finale. Fitore të rëndësishme në garën për mbijetesë kanë arritur Turbina dhe Skrapari, me këta të fundit që morën tri pikët në fushën e Burrelit.
#