Vdes shkrimtari Ray Bradbury

Ray Bradbury, gjigant i letërsisë amerikane, që ndihmoi popullarizimin e romaneve fantastiko-shkencore, me vepra si “The Martian Chronicles”, ka vdekur në moshën 91-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar shtëpia botuese e tij. Gjatë karrierës, Bradbury ka publikuar më shumë se 50 vepra, duke përfshirë edhe romanin klasik për censurën e librit në shoqërinë e së ardhmes “Frahrenheit 451” dhe të tjera si “The Illustrated Man” dhe “Something Wicked This Way Comes”.
“Bradbury ka vdekur qetësisht, mbrëmjen e kaluar në Los Angeles, pas një sëmundjeje të gjatë”, ka thënë një zëdhënës i shtëpisë botuese “Harper Collins”. Si shkrimtar i romaneve fantastiko-shkencore, Bradbury kishte thënë se nuk dëshironte të predikonte të ardhmen, por në njëfarë forme donte ta parandalonte atë.
I tillë ishte edhe rasti i romanit “Fahrenheit 451”, i publikuar në vitin 1953, që fliste për totalitarizmin e shoqërinë antiintelektuale, ku librat e ndaluar digjeshin. Romani shtjellon një botë që mund të tingëllojë familjare edhe për lexuesit e shekullit XXI. “Në letërsi fantastiko-shkencore, ne ëndërrojmë”, i kishte thënë shkrimtari gazetës “New York Times”.