Vdesin nënë e bijë, dyshohet helmimi
Burime nga policia shprehen se janë marrë kampione. Rezultatet pritet të dalin brenda 5 ditëve për të konfirmuar dyshimet
Mësohet se gruaja dhe vajza janë ndier keq pas mesnate dhe janë transportuar drejt spitalit ku mbërritën të vdekura
GRAMSH - Kanë mbërritur të vdekura në spital nënë e bijë nga fshati Bulcar të komunës Kodovjat të rrethit të Gramshit. Mësohet se rreth orës 02:35 kanë mbërritur në spitalin e Gramshit pa jetë Nafije Bujku 39 vjeçe dhe vajza e saj 10 vjeçe R.Bujku.
Dy viktimat dyshohet se kanë gjetur vdekjen menjëherë pasi kanë ngrënë darkë dhe pirë lëngje të përgatitura nga esenca limonatash. Por fakti që të njëjtat ushqime janë konsumaur edhe nga familjarë të tjerë hedh dyshimet edhe për një vetëvrasje të dyfishtë. Sipas të dhënave nga policia, gruaja bashkë me vajzën kanë qenë tek prindërit e saj në Kukër.
Vetëm pas mesnate ato janë ndier keq dhe për pasojë familjarët i kanë transportuar drejt spitalit. Është dashur më shumë se një orë rrugë dhe për pasojë për nënën dhe vajzën 10 vjeçe nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Dy trupat kanë mbërritur të vdekur në spitalin e Gramshit.
Menjëherë është njoftuar policia dhe një grup hetimor është nisur drejt fshatit ku ndodhi ngjarja. Nga ana e ekspertëve janë bllokuar kampione nga ushqimet dhe pijet. Ndërkohë, janë marrë në pyetje familjarët e gruas. Sipas deklarimeve të marra, mësohet se dyshimet bien mbi një limonatë të përgatitur me esenca të blera, të cilat dyshohen si të skaduara.
Paraprakisht shkaku i vdekjes për nënën dhe të bijën dyshohet të jetë një helmim ushqimor. Por në hetim është edhe pista e një vetëvrasjeje të dyfishtë. Kjo pistë edhe pse nuk është shumë e mbështetur, sipas hetuesve, vjen nga fakti se ushqimi është ngrënë edhe nga persona të tjerë në familje po kështu dyshohet edhe për pijen.
amiljarët e gruas janë marrë në pyetje dhe po verifikohen sjelljet dhe fjalët e gruas dhe të fëmijës para se të ndodhte helmimi. Ajo çfarë do t'i japë përfundimisht zgjidhje pikëpyetjeve të shumta të ngritura për këtë ngjarje të rëndë do të jetë autopsia. Sipas të dhënave nga policia rezultati përfundimtar për të përcaktuar shkaqet e helmimit të dy viktimave vjen brenda javës nga laboratori i specializuar.
Drejtoria e Higjienës në rrethin e Gramshit ka ndërmarrë një hetim të pavarur për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së dy grave. Edhe kjo drejtori me anë të specialistëve të saj ka grumbulluar kampione ushqimi për të arritur në përfundimin se cili ka qenë shkaku i helmimit. Dyshimet e para kanë rënë mbi esencat e huaja që qarkullojnë në vendin tonë.
Sipas specialistëve, ato dyshohet se kanë vite që qëndrojnë dhe mund të kenë të zhvilluar ndonjë bakter që mund të helmojë e të jetë vdekjeprurës. Gjithsesi, edhe sipas burimeve të kësaj drejtorie, do të duhen disa ditë që të mësohet se vdiqën nënë e bijë në Kukër të Gramshit.