Laç, plagoset me plumb në kokë infermieri i urgjencës
LAÇ - Një infermier i urgjencës së spitalit të Laçit është gjetur i plagosur me plumb në kokë fare pranë vendit të punës. Ai është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore, ndërsa policia po heton për shkaqet e vrasjes apo vetëvrasjes së punonjësit të mjekësisë.
Aleksandër Pëllumbi, është gjetur i shtrirë në tokë dhe i gjakosur pranë garazheve të spitalit mbrëmë rreth orës 19:00. Një e shtënë pistolete është dëgjuar nga rojet dhe personeli i spitalit të cilët kanë shkuar menjëherë në vendin ku u dëgjua krisma. Ata kanë gjetur kolegun në gjendje të rëndë dhe pasi i kanë dhënë ndihmën e parë e kanë nisur urgjent në spitalin Ushtarak të Tiranës për mjekim të specializuar.
Policia e Kurbinit e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka nisur hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe shkaqet e mundshme të plagosjes së infermierit. Në pistat e hetimit po rishikohet mundësia e një vetëvrasje të mundshme, por pa arritur të japin ende një arsye.
Burime zyrtare nga komisariati i rrethit Kurbin kanë bërë të ditur se Aleksandër Pëllumbi, infermier i urgjencës në spitalin i Laçit, është gjetur i plagosur në pjesën anësore të spitalit shumë pranë garazheve, ndërsa kishte marre një plumb në kokë. Ai është në gjendje kome, ndaj policia nuk nxitohet të japë versionin e ngjarjes mbi plagosjen e infermierit Pëllumbi.
Ai ishte babai i dy vajzave dhe ende nuk saktësohet mbi ndonjë version i mundshëm për plagosjen e tij, ndonëse policia ka hedhur disa dyshime. Sipas kolegëve të tij, Pëllumbi ishte një njeri punëtor dhe i qetë, madje një nga më të mirët në spitalin e Laçit. Përpos punës në urgjencë ai kishte marrë edhe një lokal me qira, ku punonte orëve të pasdites. Kolegët dhe familjarët thonë se ai nuk ka pasur asnjë konflikt.