E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Veliaj: Teatri i Kukullave dhe Biblioteka Kombëtare do të ndërtohen në territorin e Gardës

Teatri i Kukullave dhe Biblioteka Kombëtare do të ndërtohen në territorin e Gardës së vendit. Lajmi bëhet i ditur nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

“Gjysma e hapësirës së Gardës i është dhënë bashkisë, një pjesë për këtë projekt, një pjesë për t’iu bashkuar Parkut të Liqenit. Në gjysmën tjetër do të ndërtohet teatri i madh i fëmijëve; pra, largohemi nga ndërtesa në qendër të Tiranës për të pasur një teatër modern, në një projekt fantastik që qeveria do e zbatojë në pjesën e Gardës që kemi fituar nga kjo ndarje e pronës. Pjesa tjetër do të jetë për Bibliotekën e re Kombëtare, e cila sot ndodhet në atë skutën e vogël te Pallati i Kulturës. Këtu do të vijë Biblioteka Kombëtare, që ikën nga Pallati i Kulturës, dhe Teatri i Kukullave, që ikën nga ajo ndërtesë, që në fakt s’ka qenë Teatri i Kukullave, por Parlamenti i parë në Tiranë,” deklaroi Veliaj.

Ndërkohë ngushtica pranë liqenit, e njohur si ‘Triangolo’, po shndërrohet në një rrethrrotullim me korsi të plota, ndriçim dhe sinjalistikën e duhur, e cila do t’i japë fund trafikut në këtë zonë të Tiranës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›