Veliaj: Tirana është rritur 29 herë. Furnizimi me ujë 24 orë ka shkuar nga 10% në 65%

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj beson se furnizimi 24 orë me ujë në kryeqytet është një projekt i realizueshëm. Në prezantimin e planit strategjik 5-vjeçar të Ujësjellës-Kanalizime Velaj përmendi investimet e bëra në 8 vite nga Bashkia, teksa u ndal edhe tek ndryshimet demografike.
Tirana që menaxhojmë sot, e krahasuar me Tiranën e vitit 2015, është 29 herë më e madhe si territor. Ne shkuam nga një Tiranë me 42 km2, në një Tiranë 1250 km2, pra po krahasojmë Tiranën 29 herë më të madhe me 6 herë e gjysmë ujë më shumë, krahasuar me një Tiranë 29 herë më të vogël, me vetëm 10% ujë në 24 orë. Kjo do të thotë se përpjekja jonë titanike është shpërblyer. Ajo skuadër që e çoi nga 10% në 65% të qytetit me ujë 24 orë sot – një Tiranë që është 29 herë më të madhe. Sigurisht që mund ta çojë edhe 100%, sepse vetëm ata që punojnë mund ta çojnë deri në fund projektin tonë për ujë 24 orë”
Kryebashkiaku përmendi burimin e Gurit të Bardhë, si projektin që do ndihmojë në realizimin e qëllimit për 24 orë ujë.
“Tirana ka nevojë dëshpëruese për një burim të ri uji dhe Guri I Bardhë është lajmi më i mirë që kemi sot. Ndaj, jam vërtet i inkurajuar që kemi gjetur financimin dhe dua të falënderoj të gjithë kolegët e AKUM-it dhe të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës”, tha ai.
Veliaj kujtoi edhe grantin japonez, qe duhej te kishte zgjidhur problemin e kanalizimeve ne Tirane.
“Kur dëgjoj Sali Berishën dhe Ilir Metën, më kujtohet se ata e kishin në dorë menaxhimin e Ujësjellësit, e kishin në dorë edhe impiantin e ujërave të zeza, të cilin duhet ta dorëzonin gati, por krejt papritur e harxhuan shumicën e grantit japonez – harxhuan 90% të grantit për 30% të punës – dhe për këtë arsye, disa nga kandidatët u tërhoqën nga kritikat sepse e kuptuan se gjysmën e atyre që bënë burg për grantin japonez dhe për mënyrën si shkoi në djall ai projekti i ujërave të zeza të Tiranës, në fakt tani i kanë në listën për Këshillin Bashkiak të Ilir Metës dhe Sali Berishës”, tha Veliaj.
Gazetare: Albana Agolli
/rtsh/