E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Veliaj inspekton terminalin veriperëndimor: Lehtëson trafikun dhe modernizon transportin

TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Puna për ndërtimin e terminalit veriperëndimor të Tiranës po ecën me ritme të mira. Ky investim i rëndësishëm për transportin ndërqytetas do të lehtësojë trafikun, por edhe do të ofrojë kushte më të mira për qytetarët që vijnë apo largohen nga Tirana.

Në inspektimin e punimeve, kryebashkiaku Erion Veliaj tha se ky terminal do të përsërisë historinë e suksesit të terminalit juglindor në Lundër. Ai shtoi se kjo hapësirë do të strehojë një terminal prej 10 mijë metrash katrorë, me infrastrukturë të përshtatshme për autobusët dhe pasagjerët, duke e ngritur standardin e shërbimit në nivele më të larta.

“Për këdo që ka parë terminalin juglindor, terminali veriperëndimor do jetë i të njëjtit standard, por 3-4 herë më i madh, sa i takon sipërfaqes dhe volumit të pasagjerëve. Do të ketë një rrethrrotullim pa qenë e nevojshme të shkojmë tek ura e lumit të Tiranës, pra pa shkuar në Kodër Kamzë, për t’u kthyer menjëherë këtu ku jemi, tek ajo që quhet zona e ‘Malajzianit’ dhe zona e Spitaleve. Nuk do ketë më trafik të panevojshëm në zonën e Kodër Kamzës, përveçse atyre që vazhdojnë nga Kodër Kamza drejt Kamzës, e pastaj në veri të Shqipërisë”, tha ai.

Veliaj përmendi rëndësinë e sinkronizimit mes terminalit të ri dhe hekurudhës, që po ndërtohet. “Na duhet të bëjmë edhe lidhjen me terminalin e trenit. Binarët janë në proces vendosje dhe në momentin që këto të dyja kanë një sinkron dhe mbarojnë pothuajse në të njëjtën kohë, atëherë do të jetë e mundur të përdoret aeroporti, porti, terminali multimodal, ku do vendosen edhe taksitë, edhe transporti i qytetas i Tiranës, bashkë me terminalin e trenit; pas kësaj mund të themi se kemi krijuar një portë të Tiranës moderne”, sqaroi ai.

Investimi në këtë terminal është një hap i rëndësishëm për të risistemuar zonat e njohura si “Malajziani” dhe Kthesa e Kamzës, duke reduktuar trafikun e panevojshëm dhe duke krijuar një model më të rregulluar të qarkullimit. Veliaj e cilësoi këtë projekt si një fitore për publikun dhe një shembull të mbrojtjes së territorit publik nga abuzimet e së shkuarës.

Terminali i ri do të ofrojë më shumë vende qëndrimi për autobusët, ndërkohë Bashkia e Tiranës ka marrë masat për lehtësimin e lëvizjes së qytetarëve brenda qytetit përmes transportit urban.

/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›