Veliaj ndan pamjet: Videokujtesë e luftës së pashoqe për Tiranën Europiane që nuk ndalet

TIRANË, 21 shkurt/ATSH/ Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndau sot në rrjetet sociale dokumentarin mbi transformimin e Tiranës që nga viti 1990 që u transmetua gjatë takimit të punës së Kryeministrit Edi Rama me punonjës të bashkisë, pasditen e djeshme në sheshin “Skënderbej”.
Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit nën akuzë nga SPAK për korrupsion.
Pamjet tregojnë transformimin e Tiranës nga ndërhyrjet kapilare nëpër blloqet e lagjeve e rrugët deri tek shkollat dhe kreditë e buta dhe bursat për studentët ekselentë.
“Një videokujtesë e luftës së pashoqe për Tiranën Europiane që nuk ndalet. Më e mira është gjithmonë përpara”, shkruan Veliaj.
Disa nga projektet më të rëndësishme në Tiranë janë nga ato infrastrukturore te investimi në shkollat e reja, lirimi i hapësirave publike, dyfishimi i rrjetit të korsive të dedikuara të autobusëve dhe rritja e numrit të linjave të urbanëve me 17, teksa janë shtuar 469 stacione.
Janë rindërtuar 708 banesa individuale dhe janë përuruar dy lagje të reja urbane, Kombinati dhe “5 Maji”. Ndërkohë janë 202 familje përfituese për lagjet e reja në 5 zona rurale Zall-Herr, Vaqarr, Baldushk, Ndroq dhe Pezë.
Po ashtu 8 qendra sociale janë transformuar në qendra komunitare, ku përfitojnë shërbime 3500 persona. /j.p/