BERLIN – Scholz dhe Zelensky diskutojnë mënyrat për të arritur paqen e drejtë në Ukrainë

BERLIN/KIEV, 21 shkurt /ATSH-DPA/- Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky zhvilluan sot një bisedë telefonike – duke rënë dakord për mënyrat se si Ukraina dhe aleatët evropianë duhet të përfshihen në çdo negociatë paqeje me Rusinë, sipas Berlinit.
Në kuadër të bisedimeve dypalëshe SHBA-Rusi për një zgjidhje të konfliktit – nga i cili deri më tani janë përjashtuar Ukraina dhe Evropa – Scholz dhe Zelensky ranë dakord që në negociatat e ardhshme për paqen në Ukrainë, Ukraina duhet të jetë në tryezë dhe çështjet për sigurinë e Evropës duhet të diskutoheshin së bashku me evropianët”, tha sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
Ai tha se Scholz dhe Zelensky diskutuan situatën aktuale ushtarake dhe humanitare në Ukrainë, si dhe mënyrat për të arritur një paqe të drejtë në Ukrainë.
Scholz premtoi gjithashtu solidaritet dhe mbështetje të vazhdueshme për vendin e sulmuar nga Rusia – pothuajse tre vjet më parë.
Paniku është përhapur në mesin e aleatëve evropianë të Kievit – pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ndryshoi në mënyrë drastike qasjen e mëparshme të Uashingtonit dhe nisi në mënyrë të njëanshme bisedimet me zyrtarët rusë – dhe gjithashtu mes frikës se Ukraina mund të detyrohet të bëjë lëshime të mëdha për një zgjidhje të mundshme paqeje. //a.i/