Veliaj në Janinë: Ja pesë pikat e programit tonë për emigrantët
Sekretari i Emigracionit në Partinë Socialiste, Erion Veliaj, zhvilloi një takim me emigrantët shqiptarë në Janinë, gjatë të cilit deklaroi se qeverisja aktuale nuk ka treguar kurrfarë interesi për emigrantët shqiptare duke i konsideruar ata thjeshtë dërgues parash dhe jo shtetas që kanë të drejtat e tyre.
Sali Berisha nuk i do emigrantët dhe provë e kësaj është indiferenca e tij dhe qeverisë që ai drejton ndaj emigrantëve shqiptarë kudo ata jetojnë.
Për Partinë Socialiste vota e emigrantëve nuk është një votë e thjeshtë, absolutisht jo. Për PS emigrantët janë aksionerë që ndihmojnë ekonomikisht Shqipërinë dhe si aksionerë duhet të jenë faktor vendimtarë në zgjedhjeve dhe më pas aktorë kryesorë në qeverisje. Ne këtë do ta tregojmë me vepra me qeverinë e pas 23 qershorit, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama, tha Veliaj.
Më pas ai prezantoi pesë pikat e programit të PS për emigrantët.
Së pari, duhet të marrë fund diskriminimi i votës së emigrantëve, të cilët nuk duhet të lëvizin më nga shtetet ku ata jetojnë për të shprehur vullnetin e tyre për qeverinë që drejton vendim amë. Emigrantët do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme në shtetet ku ata jetojnë.
Së dyti, qeveria socialiste do të zgjidhje problematikën e pensioneve tuaja. Gjithë këto vite punë në emigracion nuk mund të shumëzohen me zero kur ju të riktheheni në atdhe dhe ne do ta bëjmë realitet njohjen e kontributeve tuaja shoqërore në Greqi përmes një marrëveshje, e cila tashmë ka përfunduar.
Së treti, shërbimi diplomatik. Ne do tia heqim nga duart miqve dhe familjarëve të kryeministrit, ministrave apo deputeteve. Shërbimi diplomatik do të vihet në funksion të emigrantëve dhe kush mund ta bëjë këtë më mirë se ju, që e njihni emigracionin, askush.
Së katërti, ne do të zgjidhim problematikën e toponimeve dhe sinjalet janë shumë pozitive nga diskutimet me qeverinë greke. Së pesti, TVSH 2 do të kthehet nga një mjet mediatik që propagandon vetëm Saliun dhe Jozefinën në ekranin edukues për fëmijët e emigrantëve duke ndërtuar një program që promovon kulturën, traditën dhe historinë e Shqipërisë në mënyrë që fëmijët tuaj të ruajnë identiteti kombëtarë, deklaroi Veliaj./ep