E Enjte, 5 Nëntor 2026

Veliaj-nxënësve: Rruga drejt përmbushjes kalon nga shkolla

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Në ditën e parë të shkollës, kryetari i bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i është drejtuar me një letër nxënësve duke i uruar një vit më të mbarë shkollor.

Veliaj shkruan se bashkia nuk e ka ndalur punën lidhur me shkollat e reja të Tiranës që sot janë me standarde europiane.

“Dihet tashmë, teksa ju pushonit nëpër plazhe apo male, ne të Bashkisë nuk e ndalëm punën lidhur me shkollat. E kemi kthyer prej kohësh situatën përmbys, e kemi ndryshuar faqen dhe shkollat e Tiranës sonë, tashmë, janë të standardeve evropiane. Mbi 40 shkolla të reja dhe të rikonskruktuara deri më sot dhe nuk kemi ndalur”, shkruan Veliaj.

Veliaj shprehet se janë 5 shkolla të reja që presin nxënësit të rikthehen në ambientet e tyre më moderne dhe më bashkëkohore, duke theksuar se janë edhe 37 institucione të tjera arsimore që presin të ndërtohen dhe rikonstruktohen.

“Këtë vit, jam shumë i lumtur që nxënësit e “Musine Kokalari”-t, “Xhezmi Delli”-t, “Myslym Keta”-s, “Avni Rustemi”-t dhe “Emin Duraku”-t rikthehen në shkollat e tyre më moderne, më bashkëkohore, por, mbi të gjitha, më të sigurta. E do të vijojmë edhe këtë vit dhe në vitet në vijim – janë edhe 37 shkolla të tjera që presin të ndërtohen apo të rikonstruktohen. Sepse puna jonë është të sigurojmë që çdo brez i ri të ketë mundësinë të rritet në një mjedis që i hap dyert e së ardhmes. Dhe, në fund të fundit, punët e mira nuk mbarojnë kurrë”, shkruan kryebashkiaku.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›