E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama: Rrjetë mbrojtëse për ruajtjen e gjuhës shqipe

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se një nga prioritetet e qeverisë për të cilën po punohet është dhe mbrojtja e gjuhës shqipe.

Rama theksoi se po punojmë për të pasur një rrjet mbrojtës për gjuhën shqipe.

“Profesor Dhori përpara se të dilja këtu më pyeti, a e di Ogerta që ti je nga Berati?  Në fakt, nuk e di, a e di Ogerta, por e vërteta është që familja ime nga im atë rrjedh nga Berati dhe e sjell këtu në vëmendje këtë sepse stërgjyshi im Kristaq Rama i pari, ishte një patriot i angazhuar për lëvizjen për pavarësinë, por mbi të gjitha një njeri me të ardhura mesatare, por shumë i përkushtuar për të financuar së bashku me plot patriotë të tjerë shkollat shqipe; ngritjen e shkollave shqipe, në një kohë kur shqipja ishte një gjuhë e kërcënuar në aspektin e të shkruarit dhe në atë kohë kur një i madh, një patriot i madh, njeriu emrin e të cilit mban shkolla këtu, mbërriti në Berat në 1897 dhe ajo çka bëri ishte, t’u mësonte djemve fshehur sa në një lagje, në një lagje tjetër të lexonin dhe të shkruanin gjuhën shqipe dhe në këtë aspekt shkolla ka si të thuash, përmes emrit që mban të Babë Dudë Karbunarës edhe një simbol. Një simbol të mishëruar në një amanet, amanetin për gjuhën shqipe; për gjuhën shqipe, e cila sot kërcënohet nga një armiqësi tjetër shumë e madhe që është armiqësia e atyre komunikimeve të shpejta me shkurtime të pafundme dhe braktisja gjithmonë e më shumë e kulturës së të lexuarit të librit dhe të të shkruarit me dorë”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “këto janë sfida që nuk janë vetëm tonat, janë sfida të të gjithëve, por edhe për këtë sfidë në po përpiqemi të bëjmë më shumë dhe ministrja e përmendi, t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë, jo vetëm rritjes së kapaciteteve dhe të aftësive të mësimdhënies në aspektin e teknologjive dhe të digjitalizimit që hyn te gjuha e re, por edhe në aspektin e gjuhës shqipe për te pasur një rrjetë mbrojtëse për gjuhën shqipe”.

/k.s/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›