Veliaj publikoi pjesë nga debati në seancën e masës së sigurimit, GJKKO: Prokurori nuk e përdori fjalën fyese

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) hodhi poshtë sot pretendimet e kryebashkiakut Erion Veliaj për përdorimin e fjalëve fyese në seancën për caktimin e masës së sigurisë, mbajtur më 12 shkurt.
Nisur nga interesimi i lartë dhe i vazhdueshëm nga ana e medieve, GJKKO njoftoi se “në bazë të ligjit “Për të drejtën e informimit”, në lidhje me vërtetësinë e pjesës së procesverbalit të seancës gjyqësore, të datës 12.02.2025, të publikuar ditën e sotme nga personi nën hetim Erion Veliaj, në rrjetin e tij social në “Facebook”, ju bëjmë me dije se nuk është i vërtetë”.
Më herët, sot, Veliaj publikoi një transkript të seancës ku sipas tij, Prokurori Ols Dado i drejtohej atij me etiketimin: ndyrësirë.
Por GJKKO thotë se nga verifikimi i bërë në sistemin audio, të seancës gjyqësore për marrjen në pyetje të personave nën hetim Erion Veliaj, etj., të datës 12.02.2025, konkretisht intervali kohor 6:34:02 PM – 6:34:57 PM (të cilit i referohet i hetuari Erion Veliaj në postimin e tij) si dhe nga procesverbali i seancës gjyqësore, nuk rezulton që të jetë përdorur fjala “ndyrësirë” nga ana e prokurorit Ols Dado në asnjë moment. /j.p/