Projekti “WALK 21”, Ristani: E bëjmë Tiranën më miqësore dhe të jetueshme

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Transformimi i ish-Bllokut në zonë këmbësore do të nxisë lëvizshmërinë në kryeqytet.
Kryetarja e komanduar e bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani u shpreh sot në aktivitetin për prezantimin e projektit për kthimin në zonë këmbësore të ish-Bllokut, me mbështetjen e rrjetit botëror “WALK 21” ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri Edi Rama, se ky është një projekt që e kanë për zemër jo vetëm skuadra e bashkisë Tiranë, por edhe të gjithë ata që e duan qytetin modern dhe të ethshëm.
“Ky është një projekt për të ecurit, për të qenë sa më aktiv, për të stimuluar lëvizshmërinë në qytet sidomos në ato zona ku ka kaq shumë qarkullim. Nuk përfitojmë nga lëvizja e makinave, sa përfitojmë nga ndërveprimi me njëri-tjetrin që arrihet nëpërmjet ecjes. Një plan për të cilin ishim shumë skeptik kur e filluam, u shndërrua sot në një nga projektet tona, për të cilat kemi marrë çmim dhe po kuotohemi. Është ai i rrugëve për fëmijët, pra pedalizimi i zonave përreth shkollave duke krijuar një qark më të gjerë ku prindërit ata që i sjellin fëmijët me makina në shkollë i zbresin dhe duke mos lejuar parkimin e makinave që më pas pengojnë ngjitjen dhe zbritjen nga makina, por edhe sigurinë e fëmijëve ndërkohë që janë fare pranë banesave të tyre”, u shpreh ajo.
Ristani shtoi se ky projekt që filloi me shumë skepticizëm në shkollën “Gjon Buzuku” në Njësinë Administrative 4, sot po aplikohet edhe në zona qendrore, si në shkollën “Edith Durham”, gjë që ka rijetëzuar të gjithë zonën.
“Ne mbajmë mend Bllokun, ku ka pasur hapësira ku përgjithësisht pedalohej me orare të caktuara. Në ditët pa makina, apo aktivitete të rëndësishme, apo Ditën e Verës ne e jetojmë qytetin me këmbë dhe bëhet më miqësore dhe e qetë dhe më e këndshme për t’u jetuar”, pohoi Ristani.
Ajo theksoi se Tirana do të mikpresë në tetor, Konferencën e Madhe Ndërkombëtare të “Walk 21” që është një nismë botërore e simulimit të lëvizshmërisë aktive, nëpërmjet krijimit të hapësirave pedonale dhe njerëzore përmes kalimit nga një segment me një tjetër në qytet. /j.p/