Veliaj rikthen Ristanin në krye të bashkisë së Tiranës: Ridelegimi me idenë e gabuar se ishte i dakordësuar

TIRANË, 20 mars/ATSH/ Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj reagoi sot nga paraburgimi i Durrësit në lidhje me lajmet në disa medie për delegimin e firmës së kryetarit në Bashkinë e Tiranës.
Në postimin në rrjetet sociale, Veliaj tha se nuk ka përplasje mes tij dhe kryeministrit Edi Rama.
Sa i takon firmës së tij për delegimin e Anuela Ristanit në postin e kryetares së Bashkisë së Tiranës, Veliaj thekson se ka firmosur një ridelegim, “me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues”, duke e rikthyer delegimin tek Ristani.
Postimi i plotë i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj:
U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh.
E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi.